Tre fëmijë të mitur mbetën pa të atin e tyre, ndërsa nëna ndodhet e shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Kreshnik Çermjani dhe e shoqja Ermira, po udhëtonin me motoçikletë në momentin kur u përplasën me një makinë e cila mori kthesën për të kaluar kryqëzimin.
36 vjeçari shqiptar ndërroi jetë, ndërsa gruaja e tij përfundoi në spital në gjendje të rëndë. Vëllai i Kreshnikut, Debatiku, dha një intervistë për median vendase. I përlotur, ai tregon se ka qenë me nipat dhe mbesën kur dëgjoi lajmin. Kujton fjalët e nipit të tij të madh “Kush do të kujdeset për ne” i kishte thënë adoleshenti xhaxhait.
“Motivi për pjesën tjetër të jetës sime, do të jenë fëmijët e tim vëllai! Të jenë mirë, siç do donte ai”
Dy vëllezërit kishin 15 vite që jetonin në Calgary të Kanadasë, një qytet në Alberta. Të dy punonin si bojaxhinj.
“Kreshniku ishte një djalë energjik dhe punëtor. I gjithë komuniteti e donte, sepse ishte një djalë i mirë, mbështetës kur të tjerët kishin nevojë. Ai ishte gjithmonë aty për të ndihmuar”-thotë për median vendase Ilir Kuqi, presidenti i shoqatës shqiptare kanadeze në Calgary.
Dhe në të vërtetë, i gjithë komuniteti shqiptar e kanadez atje ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për tre fëmijët dhe nënën e Kreshnikut.
Në lot, Debatiku thotë se tashmë nuk ka 4 fëmijë por 7 dhe se pjesa e mbetur e jetës së tij, do t’i kushtohet përkujdesit të fëmijëve të të vëllait dhe të shoqes së tij.
“Unë thjesht shqetësohem për ta dhe për gruan e tij. Ky do të jetë motivi për pjesën tjetër të jetës sime. Thjesht për t’i parë mirë. Thjesht për t’i parë ata se si vëllai im donte t’i shihte”, tha ai.