Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pohoi se vendi i tij ka mbajtur bisedimet e para me talebanët në Kabul dhe shtoi se Ankaraja është duke vlerësuar ofertën e grupit islamik për të operuar me aeroportin e Kabulit.
Kreu i shtetit turk sqaroi se bisedimet janë zhvilluar në një njësi ushtarake të aeroportit të Kabulit, ku përkohësisht është vendosur Ambasada turke.
“Kemi mbajtur bisedimet e para me talibanët, të cilat kanë zgjatur tri orë e gjysmë. Nëse është e nevojshme, do të kemi mundësi te zhvillojmë dhe bisedime të tjera”, tha Erdogan.
Duke iu përgjigjur kritikave të brendshme për angazhimin e Turqisë me grupin kryengritës, Erdogan i cituar nga REL tha see Ankaraja “nuk e ka luksin” të qëndrojë duarkryq në rajonin e paqëndrueshëm. “Ju nuk mund ta dini se cilat janë pritshmëritë e tyre ose tonat pa biseduar”, ishte komenti i tij.
Turqia ka planifikuar të ndihmojë në sigurimin dhe drejtimin e aeroportit të Kabulit, por të mërkurën ajo filloi të tërheqë trupat e saj nga Afganistani. Erdogan tha se talebanët tani duan të mbikëqyrin sigurinë në aeroport, ndërsa Ankarasë i kanë ofruar mundësinë për të drejtuar logjistikën e tij. Sulmet vetëvrasëse të një dite më parë e kanë nxitur Turqinë sipas tij, të interesohet më shumë sesi do të garantohet siguria e qendrës ajrore.
Top Channel