Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Qeveria është duke diskutuar me Trustin Pensional të Kosovës që të lejohet tërheqje deri në 10% të kursimeve në mënyrë që të kalohet sa më lehtë nga kriza që ka shkaktuar kriza me pandeminë.
‘’Pandemia shkaktoi dëme të mëdha. Ne duhet të investojmë deri 2.5 miliardë nga buxheti. 70% e bizneseve do të subvencionohen. Po diskutojmë edhe me Trustin për të lejuar tërheqje deri në 10%.’’, ka thënë ajo.
‘’Trusti do të lejojë mundësinë që gjithkush të shkojë të tërheqë deri në 10% të kursimeve të tij.’’, shton tutje.
‘’Ideja themelore ka qenë që të tërhiqen 10%. Kjo nuk është shumë problematike për Trustin. E dini që Trusti ka investime. Por ajo mund t’i shesë obligacionet për një periudhë të shkrutë kohore. Krejt cka na duhet është një ndryshim i dy neneve që t’i lejojmë Trustit që të bëjë këtë. Tani jemi në konsultime me ekspertë nëse Qeveria do të rimbursojë brenda një periudhë të gjithë, apo vetëm disa. Këto do të bëhen me kategori. Ata që kanë 10 mijë do t’i rimbursojmë të gjitha. Ata që kanë mbi 10 mijë po mendojmë t’ju kthejmë 50%. Ndërsa ata që kanë mbi 20 mijë të kursyera, atëherë mund që të mos rimbursohen fare.’’
Ndërkohë ajo ka thënë se për kalimin e buxhetit në Kuvend kërkohet mirëkuptim nga ana e deputetëve të Kosovës.
‘’Pakoja emergjente është duke punuar në kohën që po flasim. Ndërkohë, ne kërkojmë mirëkuptimin e deputetëve që buxheti të kalojë’’, thotë Bajrami.