Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin i ka thënë ushtrisë ukrainase se do të ishte më e lehtë të fliste me ta sesa me autoritetet ukrainase.
“Dëshiroj t’u drejtohem burrave të ushtrisë ukrainase, mos lejoni që këta nacionalistë t’ju përdorin ju, gratë, fëmijët tuaj, të moshuarit tuaj, t’i përdorin si mburoja njerëzore. Do të jetë shumë më e lehtë të flisja me ju, të negocioj me ju sesa me këtë bandë nazistësh që kanë kapur Kievin”, tha ai, raporton Sky News.
Ai përgëzoi forcat e armatosura ruse për “mbrojtjen e popullit rus dhe atdheut të tyre”.
“Gjithashtu do të doja të përgëzoja efikasitetin e forcave të armatosura ruse, ato kanë vepruar me nder, heroikisht dhe janë efektive dhe efikase në mbrojtjen e popullit rus dhe atdheut të tyre”, shtoi Putin.
Më herët, Putin deklaroi se Rusia është “e gatshme të zhvillojë negociata të nivelit të lartë me Ukrainën”.
Ndërsa, edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, sot përsëri bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me liderin rus, Vladimir Putin.
Sot, është dita e dytë e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Kosova po ashtu i’u bashkua ShBA-së dhe Evropës për sanksione ndaj Rusisë.