Prijësi i republikës së Çeçenisë brenda federatës ruse të Vladimir Putin, ka përcjellë përshëndetjet më të përzemërta të gjithë myslimanëve në Serbi dhe njoftoi bashkëpunim edhe më të fuqishëm mes Rusisë dhe Serbisë.
Kadirov i ka thënë portalit ultranacionalist serb pro rus se armiqtë e Rusisë ende nuk po ndalen të shkatërrojnë shtetin e tyre, me metodën e përçarjes me popuj e shtete vëllazërore, siç është padyshim Ukraina, i hyri paraleleve kryeçeçeni.
Kadirov që njihet më shumë për vallëzime e arte marciale në Instagram dhe përndjekje të homoseksualëve u pyet edhe për faktin se Serbia dhe presidenti Aleksandar Vucic, të vetmit së bashku me Bjellorusinë nuk i vendosën sanksione Rusisë. Iu shmangën faktit tjetër natyrisht se Serbia votoi rezolutën e OKB’së ku dënohej agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës.
“Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko janë shembull i shërbimit me vetëmohim ndaj atdheut të vet. Ata janë liderë nacional dhe patriotë të vërtetë të vendeve të tyre, që në politikën e brendshme dhe të jashtme udhëhiqen nga interesat e popullit të tyre, e jo me psikozat e sanksioneve të botës anglo-saksone. Vendet tona janë të lidhura me lidhje shumëshekullore vëllazërore e lidhje miqësore e bashkëpunim në të gjitha sferat e jetës. Gëzohem që politika që po udhëheqin pushteti serb dhe bjellorus, pa brengën e presionit të jashtëm agresiv, kontribuojnë në forcimin e paqes dhe vëllazërisë mes shteteve tona. Rusia në asnjë moment nuk i harron veprat e mira! Nuk do t’i harrojmë as ne, o vëllezër.”
Kadirov në një vijë me udhëzimet e pushtetit rus të ndikimit në komunitete religjioze i dërgoi porosinë edhe myslimanëve që jetojnë në Serbi.
“Me kënaqësinë më të madhe iu përshëndes përzemërsisht në emrin tim dhe në emër të popullit vëllazëror çeçen të gjithë myslimanëve në Serbi. Ju dëshiroj një jetë paqësore dhe të suksesshme në Serbi. I kujtojmë dhe i jemi mirënjohës myslimanëve dhe të gjithë serbëve në përkujtimin e presidentit tonë të parë, heroit të Rusisë Ahmat Kadirov.”
Kadirov shtoi poashtu se banorët e Rashkës në Serbi, sipas tij iu paskan drejtuar me kërkesë për ndërtimin e një shkolle për hafëzë në Novi Pazar. Mes Serbisë dhe Republikës Çeçene në kuadër të Rusisë, janë vendosur marrëdhënie miqësore që tha e ka ndërmend t’i aktivizojnë e zhvillojnë në të mirë të Serbisë dhe “atdheut tonë të madhërishëm- Rusisë” tha Kadirov.
Çeçenët e Kadirov kanë hyrë në betejë prej të parëve në Ukrainë, por e pësuan keq bashkë me parashutistët rusë pas rezistencës së rreptë të ukrainasve që i dërrmuan avangardën ushtarake ruse./gazetametro.net