Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Dominique Blanc ka shtruar drekë zyrtare për nder të presidentit Agim Ademi dhe delegacionit të FFK-së, në prag të miqësores së sotme Zvicër – Kosovë.
Të ftuar në këtë drekë ishin edhe ambasadori i Kosovës, Sami Ukelli dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci.
Gjatë kësaj dreke u diskutua për raportet e ngushta ndërmjet dy shteteve tona në fushën e futbollit, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në Zvicër, e që përbëjnë një urë lidhëse ndërmjet dy vendeve.
Presidenti Blanc mbajti edhe një fjalim të fuqishëm për lidhjet historike të zviceranëve dhe shqiptarëve, si dhe për numrin e madh të futbollistëve me origjinë nga Kosova që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë ende të japin më të mirën e tyre për Zvicrën. Në anën tjetër, presidenti Ademi e falënderoi Zvicrën për përkrahjen e Kosovës në të gjitha aspektet, derisa theksoi rëndësinë që kishte lojtari Milaim Rama si futbollisti i parë kosovar në kombëtaren zvicerane, por edhe ndikimin e lojtarëve tjerë në sukseset e kombëtares helvetike. Në emër të institucioneve të Kosovës shtetin zviceran e falënderuan edhe ambasadori Ukelli dhe deputetja Statovci, që theksuan rëndësinë e partneritetit të mëtutjeshëm ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe progresin e futbollit. Në fund, presidentët shkëmbyen edhe dhurata modeste dhe uruan për një festë futbolli në ndeshjen e sotme.