Presidenti i FFK-së, Agim Ademi duket i palodhshëm këto ditë. Ademi është duke i paraqitur aktivitetet e tij edhe në Facebook, derisa paraqitja e fundit e Ademit është bërë nga Gjilani. Në vazhdim e gjeni postimin e plotë të të parit të futbollit tonë.
“Sot isha për vizitë edhe në stadiumet e Gjilanit, në fushën me bari sintetik të ndërtuar nga federata dhe në Stadiumin e Qytetit, ku takova mirëmbajtësinë e fushës dhe punëtorin e madh, Avdullah Syla (Dulla), e ku nga afër e pashë gjendjen e fushave.
Edhe një herë kërkoj dhe e lus ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku që të veprojë sa më shpejtë, në mënyrë që të përfundojnë projektet e ndërprera të stadiumeve në Gjilan dhe në Pejë, por edhe në stadiumet e tjera, të cilat janë në punim e sipër, e sidomos stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, pasi është bërë goxha kohë që kanë filluar punimet.
Po ashtu, u sugjeroj klubeve përkatëse që veprojnë në këto stadiume që të kërkojnë nga komunat ku e zhvillojnë aktivitetin që t’u jepen stadiumet në shfrytëzim në afat të gjatë prej 99 vjetësh (siç u veprua në Komunën e Prishtinës, që iu nda toka festivalit ‘Sunny Hill’ për 99 vjet).
Konsideroj se kjo është një metodë me të cilën duhet të veprohet edhe për stadiumet e futbollit dhe jam i lumtur që ky ligj ka filluar të të zbatohet në praktikë nga Kuvendet Komunale, pasi kjo na jep mundësi neve si FFK që të investojmë me fondet e UEFA-s dhe FIFA-s në këto stadiume.
Për të investuar me këto fonde minimumi duhet që klubeve t’u jepen në shfrytëzim stadiumet nga 45 vjet. Andaj, apeli im për të gjitha klubet dhe organizatat e futbollit është që kur kërkojnë tokë nga komunat me destinacion fushat e futbollit, kërkesën në asambletë komunale ta bëjnë për 99 vite shfrytëzim.
Po ashtu, kërkoj nga klubet dhe regjionet që të bëjnë mirëmbajtjen e objekteve dhe stadiumeve, e sidomos fushave të lojës, me përkushtim dhe me kujdes maksimal.
Gjithashtu, shumë shpejt do të riorganizohet Regjioni i Gjilanit për t’u bërë sa më funksional.
#BashkëPërFutbollin”