Nyon të Zvicrës është bërë tërheqja e shortit për “Main Round” në kualifikimet e Botërorit 2024 në futsall.
Kombëtarja e Kosovës është përfshirë në Grupin 11, ku do të ketë punë me Ukrainën dhe Holandën. Në short morën pjesë 36 ekipe kombëtare, të cilat u ndanë në 12 grupe me nga tri ekipe, e ku Dardanët ishin në vazon e tretë.
Ndeshjet në çdo grup do të zhvillohen me sistem vajtje-ardhje, teksa fituesit e 12 grupeve dhe katër ekipet më të mira të vendeve të dyta do të kualifikohen në “Elite Round”, derisa tetë ekipet e tjera të vendeve të dyta do të luajnë në “play-off”.
“Shorti është shumë interesant. Kemi në grup një superfuqi në futsall siç është Ukraina. Nuk e di se në çfarë gjendje do të jetë ekipi i tyre, pasi ukrainasit janë të përqendruar në gjëra krejt tjera për shkak të agresionit rus. Ndërsa, sa i përket Holandës kemi pasur dy ndeshje miqësore dhe ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë, synimi do të jetë kualifikimi. Mendoj se ne dhe Holanda do të luftojmë për vendin e dytë në grup, por sigurisht se do të synojmë të bëjmë befasi edhe ndaj Ukrainës, sepse tashmë ndeshjet do të luhen një në shtëpi dhe një jashtë dhe ne mund të nxjerrim maksimumin para tifozëve tanë. Besoj tek djemtë dhe jam shumë i motivuar dhe optimist për sukses”, ka theksuar përzgjedhësi Arben Simitçiu për faqen zyrtare të FFK-së.
Cikli i ndeshjeve do të fillojë nga shtatori i këtij viti dhe përfundon në mars të vitit 2023. Kosova u kualifikua në ‘Main Round”, pasi doli e dyta në Grupin C të fazës së parë kualifikuese.