Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka reaguar pas rezultateve të skuadrave tona të martën mbrëma. Drita shkëlqeu në kuadër të Conference League me Inter Turkun, derisa Ballkani u eliminua pas humbjes në lojën shtesë, nga Zalgiris. Ademi i uroi suksese si Ballkanit po ashtu edhe Gjilanit e Llapit, në Conference League.
Më posht e gjeni postimin e Ademit, në Facebook:
Sonte Ballkani nuk arriti të kalojë tutje në Ligën e Kampionëve, pasi u eliminua nga Zhalgiris pas vazhdimeve (0:1), ndonëse me lojën e shfaqur në ndeshjen e parë sikur na e krijoi përshtypjen se kualifikimi ishte i pashmangshëm.
Në anën tjetër, skuadra e Dritës pati një mbrëmje magjike në stadiumin ‘Fadil Vokrri” dhe na gëzoi me kualifikim në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.
Përgëzoj futbollistët e Dritës për paraqitjen e shkëlqyeshme ndaj skuadrës finlandeze, Inter Turku (3:0) dhe uroj të vazhdojnë me nivel të tillë loje edhe në rrethin e dytë të kësaj gare.
Shpresoj që kualifikimin në këtë fazë ta arrijnë të enjten edhe Gjilani dhe Llapi, teksa Ballkanit i uroj më shumë fat në Ligën e Konferencës.
#BashkëPërFutbollin