Babai i të dyshuarit të pestë për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë, Shkëlqim Kamerit, ka thënë se ka qenë vetë ai që e ka dorëzuar djalin e tij në Polici, raporton Express. Sipas tij, 19-vjeçari s’ka shkuar në shtëpi që nga dita kur ka ndodhur rasti.
Ai ka thënë se do ta ketë problem që të angazhojë avokat për djalin, meqë s’kanë kushte të mira financiare.
“Ma mirë mos kofsha hiç, ma mirë me m’myt mu, mos me kanë gjallë se që jom prind. Unë vet e kam dorëzu Shkelqimin në Polici. Ai s’ka qenë djalë problematik, i urtë, punëtor, e morën në qaf tjetër kush, e na morën në qafë edhe neve, tri shpi na kanë blloku krejt. Mos vet. S’kom me gjetë avokat, me çka pagu, punët ligshtë. Me një rrogë tetë anëtarë“, ka deklaruar ai për Sinjalin.
Babai i 19-vjeçarit ka thënë se djalin e ka takuar në rrugë kur kanë dalë që ta kërkojnë, meqë s’ka shkuar në shtëpi.
“Ma mirë me qenë të dekt, se të gjallë. Shkelqimi s’ka qenë në shpi, se kom ditë ku osht. Unë vet e kom dorëzu në Polici. Në Koliq e kemi taku. Kena dalë me lyp edhe na ka dalë në udhe përpara”, ka deklaruar babai i të dyshuarit.
Dhunimi i vajzës, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, të cilën e posedon Gazeta Express, ka nisur të shtunën në parkun në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, për të vazhduar në një lokacion tjetër të panjohur. Në dosjen e prokurorisë përshkruhen detaje tronditëse.