Me dy ndeshje interesante vazhdon edicioni i ri përkatësisht java e pestë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.
Nga kjo javë orari ka ndryshuar dhe ndeshjet do të luhen me fillim nga ora 15:00.
Takimi kryesor i ditës së sotme zhvillohet në Gjilan, ku Drita është nikoqir i Llapit.
Gjilanasit në këtë takim vijnë pas barazimit 1-1 në udhëtim te Ferizaj, derisa Llapi pas humbjes në shtëpi nga Prishtina.
Si vendasit ashtu edhe mysafirët synojnë të rikthehen te fitoret, derisa dueli në stadiumin me bari sintetik në Gjilan pritet të jetë tejet interesant.
Ndeshje shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë.
Trepça ’89 pret Malishevën, me vendasit që janë në kërkim të fitores së parë në kampionat.
Ndërkohë Malisheva pas disfatës nga Drenica në shtëpi kërkon të rikthehet te rezultatet pozitive.