Ngjarja disa ditë më parë në “Rrugën e Kavajës”në kryeqytet, ku Arsen Muskurti vrau vëllain dhe kunatën tronditi opinionin publik.
Muskurti së fundmi ka rrëfyer debatin që pati me vëllain e tij, Dritan Muskurtin dhe kunatën, Nora Muskurtin përpara se t’i qëllonte për vdekje me 7 plumba.
38-vjeçari që ndodhet nën masën e ‘arrestit me burg’ ka shpjeguar para hetuesve se kishte konflikte më të vëllain që të vitin 2017.
“Me Dritanin dhe Nora Muskurtin kam patur problematika te vazhdueshme prej vitit 2017, për shkak se ai ka qenë një person që nuk pranonte kërkesë llogarie, dhe shpesh ishte kërcënues ndaj meje. Për këtë shkak unë kam bërë edhe kallëzim në komisariat”, tregon ai, teksa më tej shton se atë ditë i kishte ardhur një fletëthirrje nga gjykata, pasi i vëllai Dritani kishte kërkuar urdhër mbrojtje prej tij.
Muskurti pretendon se krahas kësaj me vëllain ishin në proces gjyqësor edhe për një shumë të konsiderueshme parash, ku thotë se kishin kërkuar ekspertim të firmës, duke pretenduar se ia kishin falsifikuar.
Më tej ai rrëfeu dhe minutat e krimit, ku fillimisht kishte qëlluar të vëllain dhe më pas kunatën.
“Duke u mbledhur në të gjitha këto probleme, pësova tronditje. Mora armën dhe shkova në agjenci për t’u sqaruar.
Sapo kam hyrë i kam drejtuar armën dhe I thashë: “Pse më shantazhon mua, fëmijët e mi, nënën dhe babën. Ai mu përgjigj me fjalët “du me e bë”. Atëherë kam qëlluar me armë drejt Dritanit dhe nuk di c’kam bërë me tej. Jam larguar për tek dyqani im që e kam aty pranë dhe kam futur armën në kasafortë. Më pas kam shkuar në shtëpinë time në Rrugën ‘5 Maji’. Jam ndërruar dhe kam thirrur avokatin tim. Rrobat e krimit i kam hedhur në një kazan plehrash”, ka shpjeguar Arsen Muskurti.
Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të pasdites së datë 30 gusht në ambientet e agjencisë së udhëtimeve Nour Tours.
Arsen Muskurti qëlloi për vdekje me 7 plumba pistolete vëllain dhe kunatën e tij. Pas krimit tronditës, 38-vjecari futi pistoletën ne trup dhe u largua qetësisht për t’u dorëzuar disa orë më vonë.