Në kuadër të festës tradicionale të Suharekës, Festari, hapet ekspozita personale e prof. Bardhyl Bejtullahu në Muzeun e Qytetit në Suharekë.
Artisti Bejtullahu thuajase në të gjitha vitet e Festarit, ka dhënë kontributin e tij profesional e organizativ, derisa këtë radhë e nderoi festën e vendlindjes me ekspozitën me piktura.
Ekspozita është hapur më 20 shtator.
Bejtullahu ka falënderuar familjen, miqtë e kolegët që e kanë përkrahur për realizimin e kësaj ekspozite, teksa ka publikuar edhe fjalimin e ish-drejtorit të Muzeut, Skender Boshtrakaj.
“Si pikturohet poezia, Bardhyl Bejtullahu”, është titulluar fjalimi i tij.
Si pikturohet poezia, Bardhyl Bejtullahu
Bardhyl Bejtullahu është një artist shqiptar që jeton dhe punon në Prishtinë, i cili përdorë një shumëllojshmëri të teknikave, në pikturë, grafikë dhe vizatim, me një ndjeshmëri të fortë për dritën dhe kompzicionin, me ngjyra të gjalla dhe vija delikate, në vitin 2022 vjen me një seri të pikturave që të çojnë syrin nga nga realiteti në ëndërr dhe anasjelltas.
Gjuha artistike e pikturës së Bardhit është aq e pastër në teknikë, sa estetika i kapërcen idetë. Me vija delikate endacake dhe ngjyra të gjalla e transparente, Bardhyli është në gjendje të kapë dritën dhe atmosferën, duke arritur efekte ndriçuese që sugjerojnë menjëherë freski, pastëri dhe optimizëm. Për më tepër, me cilësi tonale delikate përdor ujin (ose efektin e ujit) dhe një gamë të gjerë ngjyrash, linjash dhe simbolesh në hapësirë, në mënyrë që tema dhe pamja e brendshme estetike të reflektojnë aftësitë teknike dhe idetë artistike. Uji është një element bazë i pikturës së Bardhit dhe çelësi i reduktimit të ngjyrës dhe rregullimit të dritës dhe pastërtisë. Së dyti, ujin (efektin e ujit) e trajton si material të rëndësishëm të krijimit të marrëdhënie virtuale dhe reale, dhe kjo i kërkon të ketë aftësi parashikuese për pikturën. Kompozicioni është gjithashtu pjesë e rëndësishme në pikturën e Bardhit. Në krijimin e pikturës, për Bardhin të njejtën rëndësi e kanë, pika, vija, sipërfaqja, ngjyra, cilado formë, objekt apo trup në kompozicion. Gjithashtu, ai deklaron marrëdhënien midis dritës, formës dhe hapsirës si çelës të organizimit, ku cdo detaj duhet të jenë në vendin e vet dhe i ndriçuar ndjeshëm.
Në pamje të parë piktura e Bardhit duket të jetë një vepër abstrakte, por në një vështrim më të afërt zbulon një numër të objekteve, figurave ose simboleve me interpretime shumë komplekse, midis ëndrrës dhe realitetit, më të afërt në stilin surrealist.
Bardhyli prezanton shumë simbole që përsëriten gjatë gjithë ciklit. Një nga temat më të spikatura në ketë përbërje është peisazhi, i cili supozohet se përfaqëson një ikonografi të jetës së Bardhylit, e cila shtrihet nga realiteti autobiografik, deri në një një skaj shumë lirik të ëndrrave. Me shumë mundësi duke evokuar një peizazh të pasur të Therandës. Tema e pikturës në ketë cikël nuk mund të identifikohet, me ndihmën e titullit të pikturës. Ajo mund të jetë peisazh apo kompozicion, thot autori, duke lënë shikuesin të hartojë rrugën e tij nëpër këtë habitat të ngjashëm me ëndrrat. Peizazhe dhe kompozicione të realizuara me shenja të forta sugjestioni dhe hapësirë për të lënë imagjinatën e shikuesit të bredh së bashku, me atë të Bardhylit.
Artisti sikur na thot: “Po e ngjyrosim një zbrazësi, e ti mund të ecësh brenda. Tani po pikturoj për mua, me shume dritë, pak të kaltërt qielli dhe të verdhë floriri, le të përhapet ngjyra! Kjo ndjenjë të jesh i lirë, për të krijuar imazhet si ëndrra, më mundëson të pikturoj kujtime me ju”!
Skender Boshtrakaj
Shtator 2022