Tifozët e Kosovës “Dardanët” tanimë janë akomoduar në ambientet e reja.
Ata kanë komoditet më të lartë në përgatitjet e tyre për ndeshjet e Kombëtares.
Dardanët njoftuan se me vizitën e tij i ka nderuar edhe i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi.
Më posht e gjeni edhe deklaratën e “Dardanëve”
Jemi të lumtur që morëm respektin nga i pari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ashtu si edhe nga një pjesë e futbollistëve të kombëtares që erdhën sot për të na uruar neve si Dardanë për Fanclubin e ri që e kemi hapur me adresë tjetër nga ai i mëparshmi.
Në emër të Dardanëve, si kryetar i tifogrupit, falënderoj për kohën që gjetën të gjithë delegacionin. Edhe ardhja e lojtarëve në hapësirat tona ishte një mesazh shumë i mirë dhe motivues për të gjithë anëtarët tonë.
Ne u jemi gjithmonë në përkrahje në ndeshjet e kombëtares dhe na vjen mirë që respekti është reciprok.
Ky lokacion i ri i tifogrupit tonë do të jetë shtëpia e të gjithë atyre që ndjejnë veten tifozë të Kosovës. Dera e këtij lokali do të jetë e hapur për mirëseardhje e bashkëpunim me këdo që angazhohet për të mirën e sportit kosovar, pa përjashtim nga funksioni që ka.
Urojmë që ky bashkëpunim i mirë me të gjithë punëtorët sportivë të zgjasë sa më shumë. Njoftuam zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, me në krye presidentin Ademi, se jemi duke bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ndeshjet që na presin në vijim.
Si zakonisht do të bëjmë përpjekje që me koreografitë tona të mos dëmtohet vendi ynë, duke siguruar të gjithë se nuk do të shkaktojmë probleme qoftë me incidente apo shqiptim dënimesh nga delegatët e ndeshjeve.
Besa, besë!