Trepça ’89 dhe Ballkani kanë ndarë pikët në takimin e shtyrë që i takoi xhiros së tretë në Superligën e Kosovës në futboll. Ndeshja në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë u mbyll 1:1.
Ndonëse ekipet u ndan në “paqe”, pas përfundimit të ndeshjes gazetari i ArtSport raportoi se futbollistët dhe stafi i dyja skuadrave janë përfshirë në një përleshje në tunel që dërgon në dhomat e zhveshjes, shkruan Demokracia.com.
Bëhet e ditur se për të qetësuar situatën është dashur edhe intervenimi i pjesëtarëve të policisë.
Gjithashtu, të përfshirë në një përplasje verbale fillimisht kishin qenë Edvin Kuç i Ballkanit dhe Samir Sahiti i 89-shit.
Kryetrajneri i Ballkanit, Ilir Daja nuk u prononcua fare për media.
Me këtë pikë, Ballkani mbetet në pozitën e dytë me 34 pikë, katër më pak se Drita lidere.
“Minatorët” janë të parafundit me 19 pikë.
Kjo përballje ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të Ballkanit në Ligën e Konferencës.