Hamide Magashi, gruaja shtatzënë që u vra nga ish bashkëshorti mësohet se i ka ofruar para vetëm që ta linte të qetë bashkë me fëmijën. Në dosjen e siguruar nga Kallxo, i dyshuari Sokol Halili i ka treguar gjykatësit se gruaja e tij kërkonte që të kthehej tek familja.
“Më ka premtu një shumë të madhe të pareve veç me e lanë me shku te shtëpia e babës, më ka thanë martohu me kë të duash, vetëm më lë rehat mua dhe fëmiun”- thuhet në procesverbalin gjyqësor.
Madje para gjyqtarit, i dyshuari kishte deklaruar se nuk do ta linte të lirë Hamide Magashin me asnjë kusht, pasi nuk do lejonte që fëmijë ta mbante e ndjera. E gjithë kjo u tha para gjykatës në kohën kur po vendosej urdhri i mbrojtjes.
Ndërkaq deklaratat e viktimës para hetuesisë tregonin se e njëjta kishte raportuar dhunën e vazhdueshme me të cilin ishte përballur e ndjera. Pagat e realizuara nga puna në Komunën e Ferizajt, Hamide Magashi kishte deklaruar se detyrohej t’ia dorëzonte çdo muaj bashkëshortit.
Në këtë dosje, viktima kishte deklaruar se edhe çdo vizitë të bërë në familjen e saj kishte qenë e shoqëruar nga vjehrra dhe e vëzhguar nga bashkëshorti.
Madje Magashi kishte raportuar se nga burri kishte pasur edhe kërcënime me vrasjen e burrit të motrës dhe kryerjes së marrëdhënies seksuale me motrën e saj në praninë e saj. Por Halili ka mohuar këto pretendime.