Tifozi francez i goditur nga një gjuajtje e fortë e sulmuesit Kylian Mbappe, ka reaguar ndaj rrëzimit që e la pavetëdije nga një “predhë” e francezit.
Les Bleus po përgatiteshin për një ndeshje gjysmëfinale të Kupës së Botës “Katar 2022” me Marokun, kur superylli i Paris Saint-Germain goditi me top një tifoz në tribunë.
Megjithatë, goditja e tij ishte e fortë saqë rrëzoi tifozin dhe e la pa vetëdije atë për disa sekonda, ndërsa nuk arriti të përmendej për disa minuta.
Guillaume, tifozi në fjalë, ka folur tashme për mediat për përvojën e tij mjaft unike në Katar pasi iu dhurua topi që e goditi atë.
“Unë kam në duar raketën që më goditi në kokë. Unë jam këtu që nga fillimi i Kupës së Botës, i jam bashkuar grupit francez dhe i jam përkushtuar të jem bateristi i grupit të brohoritjes. Po i bija daulles kur ky objekt i bukur [i referohet topit] erdhi për të më goditur dhe më rrëzoi pa ndjenja”, ka thënë fillimisht Guillaume për RMC Sport.
“I rashë tifozëve përballë meje, u shtangova plotësisht. Dëgjova zhurmë dhe njerëz që bërtisnin për Kylian. Unë pothuajse nuk mbaj mend se çfarë po ndodhte”.