Vdekja e gazetarit Milaim Krasniqi, ka shokuar jo vetëm botën sportive dhe gazetarinë në përgjithësi. Puna dhe vepra, që la pas Krasniqi ka bërë të vërshojnë mesazhet ngushëlluese për familjen Krasniqi dhe më gjërë. Më posht gjeni telegram Ngushellimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi:
E nderuara Familje Krasniqi!
Të nderuar drejtues dhe anëtarë të SHGSK-së!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Milaim Krasniqi, ndaj ju lutem më lejoni që në emrin tim, të KE të FFK-së, klubeve, futbollistëve dhe tërë komunitetit të futbollit, të ju shpreh ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta.
Milaim Krasniqi i dha shumë gazetarisë sportive e bashkë me të edhe futbollit të Kosovës. Ai ishte zëri kumbues i futbollit kosovar që nga ditët e para të pasluftës nëpërmjet valëve të radios.
Ai nisi me radiotransmetime në Radion Kosova e Lirë, për të vazhduar më pas në Radio Rilindja dhe për të vazhduar traditën e transmetimeve në Radio Kosova, aty ku punoi deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Mili ishte zëri simbol i radiotransmetimeve të futbollit për më shumë se tri dekada. Ishte pjesë e çdo suksesi të klubeve tona, por edhe i Kombëtares së Kosovës.
Ai ishte përplot pozitivitet e vizion. Ishte i lindur për të qenë komentator sporti. Mënyra se si e përçonte emocionin e një ndeshje futbolli tek dëgjuesit e radios ishte sa e veçantë, por aq e papërsëritshme. Thjesht ishte mjeshtër i mikrofonit.
Ikja e tij e hershme nga kjo botë është një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe për gazetarinë sportive.
Ai pas vetës la një arkiv të pasur radiotransmetimesh, emisionesh e spektaklesh sportive e argëtuese. Milaimi ishte i gjithanshëm, intelektual e me virytete të larta.
Në këto momente të vështira qëndrojmë afër familjes Krasniqi dhe tërë kolegëve e miqve të tij.
I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Me pikëllim të madh,
Agim Ademi, president i FFK-së