Klubi kryeqytetas, Prishtina ka arritur marrëveshje me sulmuesin e Rahovecit, Jalen Miller Blesa dhe tani pritet vetëm zyrtarizimi.
Prishtina ka filluar të punoj për përforcime në afatin kalimtar të janarit, pasi tashmë veçse e ka kryer goditjen e parë.
Bëhet fjalë për sulmuesin e talentuar Jalen Miller Blesa, i cili në gjysmë sezonin e parë ka shkëlqyer me Rahovecin në Ligën e Parë.
Sipas burimeve të Telegrafit, Prishtina ka kryer marrëveshjen me lojtarin dhe Blesa do t’i bashkohet ekipit në stërvitje, nën urdhrat e trajnerit Ismet Munishi.
Lojtari do të vjen si transferim i lirë pasi ka pasur një marrëveshje me klubin rahovecian të lejohet largimi i tij në rast të ndonjë oferte nga ekipet e Superligës.
Zyrtarizimi i lojtarit nga Prishtina pritet të bëhet shumë shpejt, pasi janë mbyllur të gjitha detajet.
Amerikani i lindur në Barcelonë është vetëm 21 vjeç dhe luan pa problem në secilin pozicion të sulmit.
Ai në 12 ndeshje zyrtare me Rahovecin këtë sezon, ka shënuar plot 10 gola nga 19 sa i ka shënuar i gjithë ekipi.
Blesa ka shtuar gjithashtu edhe dy asistime.