Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka listuar arsyet që çuan në shkarkimin e deputetit Haki Abazi nga posti i kryetarit të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, në kuadër të Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj, Abazi kishte mos-përputhje sa i përket raporteve me politikat e qeverisë apo grupit parlamentar të LVV-së.
Më pas ajo u shpreh se “ankesat e Abazit për ministrinë e Punëve të Jashtme kanë arritur deri në pikën sa nuk ka pasur komunikim fare me këtë dikaster”.
Po ashtu, Kusari-Lila e kritikoi Abazin për mos-bashkërendim të aktiviteteve që i mbulon ai komision.
“Pastaj fillojnë abstenimet dhe kushtëzimet që ky i ka bërë vazhdimisht për pjesëmarrje në votime të tjera. Po mendoj prezenca apo mos-prezenca e tij në seanca shihet, mospjesëmarrja në votime, kushtëzime me tërheqje të legjislacionit, apo deklarata që nuk janë të bashkrenduar apo nuk kanë qenë në frymën e njëjtë me qëndrimin e qeverisë”, shtoi ajo në T7.