Mbrëmja e së martës në Podujevë mblodhi mbi 500 bija të familjes Blakçori, të cilat u takuan me njëra-tjetrën pas shumë vitesh. Madje, disa morën rrugë edhe nga vendet perëndimore për t’u çmallur me kushërirat, transmeton atvlive.tv.
Të gjitha i përkasin një fisi dhe që të gjitha janë kushërira mes vete, por rrugët e jetës i ndanë, e nuk u panë prej vitesh me njëra-tjetrën.
“Kam mëndu edhe më shumë se 500, sepse bijat e Blakçorve janë më shumë dhe i thash një rast, organizatores ‘a e din që na jena shumë dhe nuk na zënë një lokal neve’. Me të vërtetë me vjen mirë që janë taku kaq shumë bija. Kam shumë emocione që mi rikujton ditët e fëmijërisë, të shkollimit, të rrugëve, takimeve të fëmijërisë e tash edhe të moshës që jemi taku prapë”, tha për ATV-në, Myrvete Hoxha – Duraku, pjesëmarrëse në këtë iftar të organizuar.
Një organizim i tillë ishte menduar prej kohësh, por se do të bëheshin mbi 500 kushërira bashkë, nuk e kishin besuar as organizatoret.
E për këtë takim, disa prej bijave Blakçori, morën rrugë edhe nga kurbeti.
“Krejt kemi komunikim mes veti, njihemi krejt. Kanë ardhur prej Gjermanie, France, Austrie, Danimarke, krejt bijat kanë ardhur ngado që janë”, thotë Kimete Hasani
Gjatë kësaj mbrëmjeje, pos që u çmallën me njëra-tjetrën, patën rastin që gjeneratat më të vjetra të njihen me gjeneratat e reja të familjes.
Pos kësaj, zonjat e shijuan muzikën, vallëzimin e humorin.
“Humori gjithmonë është i ndjeshëm dhe ata që i bëjmë ne me qesh, na shohin ne si humoristë, si tjerë, por vetëm një humorist mundet me e kuptuar kur del para 50 vetave. Kam ndjerë njëfarë adrenaline, njëfarë emocioni, por përndryshe tepër mirë kemi kaluar, sepse shumicën i njoh, keni mujt me e vërejt që shumicën me emra i kam thirrur”, thotë aktori Adnan Blaku.
“Edhe jam vendas këtu nga qyteti i Podujevës, edhe i kam afër me shtëpi, edhe i kam kojshi të moqëm edhe i respektoj shumë. Kam nderin dhe kënaqësinë që më kanë zgjedhur mua sonte të jem në iftar i ftuar për Bijat e Blakçorit”, tha këngëtari i mbrëmjes Dardan Restelica.
Pos kënaqësisë që e përjetuan, kjo mbrëmje pati edhe karakter humanitar. Gratë u bënë bashkë për ta ndihmuar kushërirën e tyre, e cila nuk qëndron mirë financiarisht.
“Ne qëllimin e kemi pasur të jemi të bashkuara, por e kemi bërë edhe një organizim në dy arka, ku do t’i ndihmojmë një bijës tonë që e ka fëmijën e hendikepuar dhe një arkë tjetër ku do t’iu ndihmojmë me ndihma disa bijave që kanë kushte financiare jo të mira”, tha organizatorja e Iftarit, Fita Blakçori – Gashi.
Ky ishte takimi i parë kaq masiv mes bijave Blakçori, por i cili nuk do të mbetet i vetmi, pasi qëllimi i organizatoreve është të mblidhen më shpesh dhe të takohen me njëra-tjetrën. /atvlive.tv