Sot u bë një vit nga Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, në të cilin presidenti Agim Ademi është zgjedhur me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve për mandatin e tij të dytë katërvjeçar. Mandati i ri filloi me moton “Bashkë për Futbollin”. Programi gjithëpërfshirës katërvjeçar i hartuar nga presidenti Ademi, i mbështetur nga profesionistë të fushës, u përkrah nga komuniteti i futbollit dhe nga delegatët e Kuvendit të FFK-së.
Vitin 2022 e nisëm me rritje të buxhetit prej 33 përqind. Kjo gjë mundësoi realizimin e shumë projekteve si dhe mbështetje për klubet nga fondi i solidaritetit të UEFA-s, sponsorizimi i ligave, të drejtat televizive si dhe heqja e kuotizimit për klubet dhe mbulimi i shpenzimeve të gjyqtarëve.
Madje, përmirësimi i infrastrukturës së klubeve ishte në epiqendër të programit të presidentit Ademi. Kësisoj, përveç mbështetjes së klubeve në mirëmbajtjen e fushave dhe rregullimin e sistemit të ujitjes për të gjitha fushat me bari natyral, FFK realizoi projektet e ndërtimit të disa fushave me bari sintetik në qytete të ndryshme: U rindërtuan fushat e KF Ballkani, KF Flamurtari, KFF Bazeli 2015, Lidhjes Rajonale të Pejës në Brestovik, fusha në Bardh të Madh, në Obiliq, Ratkoc, Fushë Kosovë, Vitomiricë dhe fusha për personat me nevoja të veçanta në Bërnicë.
Kampi Obiliq
Fusha e LRF Pejës në Brestovik
Fusha e KFF Bazeli 2015
Fusha në Bardh të Madh
Fusha e stadiumit të KF Flamurtari
Fusha e stadiumit të KF Ballkani
Kampi Nacional në Hajvali u hap për akomodim të plotë për ekipet kombëtare të të gjitha grupmoshave, duke përfshirë tri fusha futbolli dhe një ndërtesë me 23 dhoma moderne, dushe, tualete, dhoma zhveshjeje etj, teksa vazhdon projekti i ndërtimit të tribunave të stadiumit qendror në këtë kamp.
Rëndësi i kushtuam edhe projektit të Kampit në Obiliq si dhe vazhdimit të kompletimit të projektit të Shtëpisë së Futbollit.
Falë raporteve shumë të mira të kreut të FFK-së me UEFA e FIFA, në këtë periudhë për vizitë në Kosovë për herë të parë qëndroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ai mbeti i mahnitur me punën e bërë pas anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA dhe shprehu gatishmërinë për t’i përkrahur projektet madhore të FFK-së.
Një tjetër vizitë e rëndësishme ishte edhe ajo e legjendës Zvonimir Boban, në cilësi të shefit të futbollit në UEFA.
Strategjia e re e FFK-së përfshiu edhe vendimin për të nisur Ligën U21 duke filluar nga sezoni 2023/24, ndërsa në ligat rajonale filluan garat edhe për grupmoshat 11-vjeç dhe 13-vjeç.
FFK në partneritet me kompaninë Sigal për herë të parë ofroi sigurime shëndetësore për futbollistët në Superligë, Ligën e Parë e Ligën e Dytë dhe futbollistet e Superligës dhe Ligës së Parë.
Gjithashtu, u ofrua ndihmë për futbollistët e rinj, për t’i mbuluar shpenzimet e operacioneve nga lëndimet sportive.
Gjatë këtij njëvjeçari FFK ka përkrahur fëmijët dhe personat me nevoja të veçanta nga të gjitha komunitetet, përshirë edhe të prekurit me kancer, ndërsa u krijua edhe ekipi kombëtar për personat e verbër në bashkëpunim me Federatën Sportive të të Verbërve të Kosovës.
Një tjetër projekt i ri gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të presidentit Ademi ishte futbolli spontan apo siç njihet ndryshe futbolli i rrugës, i cili synon argëtimin e fëmijëve dhe zbulimin e talenteve të reja në çdo cep të vendit.
FFK vazhdoi t’i kushtojë rëndësi të madhe krijimit të kuadrove të reja të futbollit, qoftë në sektorin e trajnerëve, atë të gjyqtarëve por edhe administratorëve të futbollit.
Gjatë kësaj periudhe rritëm numrin e gjyqtarëve me stemë të FIFA-s dhe tani kemi 16 gjyqtarë që krahas ndeshjeve vendore e ndajnë drejtësinë edhe në garat evropiane të niveleve të ndryshme. E për herë të parë kemi edhe vëzhgues të ndarjes së drejtësisë me licencë të FIFA-s.
Në sektorin e edukimit gjatë vitit të fundit u mbajtën 10 kurse, ku 22 trajnerë u pajisën me licencën D për portierë, 120 trajnerë me licencën C, prej tyre 11 femra dhe 22 trajnerë me licencën B. Ndërkaq, u rilicencuan 30 trajnerë me licencën B dhe 75 trajnerë me licencën C.
Masovizimi dhe ngritja e cilësisë së futbollit ishte prioritet i shtëpisë së futbollit kosovar. Në këtë periudhë 12 mujore patëm rritje të konsiderueshme të lojtarëve të regjistruar. Derisa në vitin 2022 ishin 12668 lojtarë në të dyja konkurrencat, në vitin 2023 ky numër u rrit në 13735.
Si rezultat i projekteve të viteve paraprake u krijuan ekipet kombëtare U-16, U-18 dhe U-20 për meshkuj, si dhe ekipet U17 dhe U-15 për vajza.
Një projekt i tejet i rëndësishëm ishte përfshirja e futbollit në shkolla. Tani në bashkëpunim me komunat do të vazhdohet me gara në ligat shkollore.
Për herë të parë Superliga e grave u bë me sponsor, falë kompanisë ‘Sigal Uniqa Group’, derisa derisa u bë edhe riformatimi i ligave, ku për herë të parë ka nisur garat edhe Liga e Parë.
Në këtë periudhë u organizuan dy projekte gjigante për futbollin e vajzave ”Girls just want to play football” dhe “Playmakers” të mbështetura nga UEFA, që po ashtu e rrisin interesimin për futbollin dhe ndikojnë për rritjen e cilësisë në të ardhmen.
Me Komunën e Prishtinës arritëm marrëveshje për ndërtimin e stadiumit të ri të kryeqytetit, derisa falë menaxhimit dhe mirëmbajtjes së duhur të stadiumit “Fadil Vokrri”, FFK-së iu besua menaxhimi i këtij objekti me interes nacional në periudhë të gjatë.
FFK u vlerësua si organizatore e mirë e ndeshjeve ndërkombëtare në vazhdimësi dhe si rrjedhojë nga UEFA na u besua në dy raste organizimi i turneve kualifikues për grupmoshat e reja në të dyja konkurrencat për U17.
Nënshkruam Memorandume Bashkëpunimi pothuajse me të gjitha komunat për fusha stërvitore të klubeve si dhe marrëveshje me Ministrinë e Sportit për investime në infrastrukturën e futbollit (në stadiume dhe fusha stërvitore). Në këtë segment kemi arritur koordinimin me UEFA-n e FIFA-n dhe kemi marrë premtimin e tyre për mbështetje financiare gjatë takimeve të përbashkëta që kishim me ministrin Çeku me krerët e këtyre dy institucioneve.
Gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të lidershipit aktual të FFK-së, u shënua edhe suksesi historik i futbollit të Kosovës në nivel klubesh. FC Ballkani arriti të luajë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, duke e përfaqësuar në mënyrë dinjitoze Superligën e Kosovës në Evropë.
Edhe në këtë mandat rëndësi e madhe do t’i kushtohet digjitalizimit, e ku në shtator filluam me projektin e decentralizimit të Lidhjeve Rajonale. Tani shumë shërbime rreth regjistrimit të lojtarëve kryhen në Lidhjet Rajonale përkatëse. Po ashtu, printimi i ID kartelave të lojtarëve tani kryhet në Lidhjet Rajonale.
Organizimi i miqësores së yjeve Kosovë – Gjermani, ishte një tjetër event i rëndësishëm, ku vendin tonë e vizituan shumë ish-futbollistë të njohur gjerman, e të cilët mbeten të mahnitur me mikpritjen.
Ofruam përkujdesje të vazhdueshme për ekipet kombëtare dhe kushte sa më komode. Së fundmi finalizuam marrëveshjen me sponsorin e ri të veshjeve dhe pajisjeve sportive ‘Errea’, që është brendi i ri i Dardanëve tanë.
Hartuam statutin e ri dhe aktet tjera normative të FFK-së në harmonizim të plotë me UEFA-n dhe FIFA-n, me ekspertë të këtyre dy organizatave dhe ekspertë të shumtë të regjioneve dhe të futbollit si dhe Zyrës Ligjore të FFK-së.
Në koordinim me ekspertët e UEFA-s të cilët qëndruan në Prishtinë, u hartua edhe strategjia e re e FFK-së për periudhën e ardhshme.
Gjatë këtij mandati e rritëm edhe numrin e partnerëve tanë: TEB, Albi Mall, Viva Fresh, Emerald, HIB, Sigal Uniqa Group, KEP, Uji i Alpeve, Al Trade dhe ArtMotion e mbështesin FFK-në në këtë rrugëtim.
Pra, përkundër sfidave e peripecive të shumta rrugëtuam suksesshëm drejt përmbushjes së pikave dhe objektivave të programit katërvjeçar… dhe kështu do të vazhdojmë edhe në vitet në vazhdim, me synimin e vetëm – ta çojmë futbollin tonë në një nivel tjetër.
Bashkë për Futbollin!