Futbollisti shqiptar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri është rrëfyer për jetën e tij të re në Shtetet e Bashkuara, shpërnguljen nga Kosova dhe përballjen ndaj vendlindjes së tij.
Në një intervistë për prestigjiozen britanike The Guardian, Shaqiri ka folur për rrugëtimin e tij të gjatë që filloi në Gjilan të Kosovës, aty ku lindi në vitin 1991.
Ish futbollisti i Liverpool, Stoke City, Bayern Munich dhe Inter është larguar nga Kosova para se të fillonte të ecte mirë. Pas ditëlindjes së tij të parë, familja e tij kishte marrë vendimin për t’u shpërngulur në Zvicër.
Luftërat jugosllave kishin filluar dhe rajoni ishte në prag të Luftës së Kosovës. Shpërngulja ofronte siguri për familjen Shaqiri, shkruan The Guardian.
Por nuk ishte aspak e lehtë, shkruan Paparaci.
“Nëse ndryshon shtet, do të shkosh në një vend ku nuk e njeh askënd,” thotë Shaiqi. “Unë nuk vija nga një familje e pasur. Prindërit e mi punuan shumë. Nuk kaluam kohët më të mirë. Por, ndonjëherë kjo të bën më të fortë.”
Fokusi i Zvicrës është kualifikimi për Euro 2024 në Gjermani. Edhe kjo mund të jetë një rrugë emocionale për Shaqirin pasi në Grupin I, Zvicra ndodhet në një grup me Kosovën. Vendi i lindjes së tij kundrejt vendit që e rriti.
Në Kupën e Botës 2018, Shaqiri i kishte të qepur flamujt e të dyja vendeve në këpucët e tij.
Në një udhëtim pasluftës në Kosovë, Shaqiri kishte vizituar dikur shtëpinë e tij të mëparshme. Nuk kishte shumë për të parë. “Shtëpia jonë u dogj. Në mure shkruheshin gjëra. Gjithçka ishte bosh.”
Ai shpreson se rikthimi i tij si futbollist në atë ndeshje kualifikuese do të jetë një përvojë krejtësisht më pozitive. “Unë luaj për Zvicrën. Por unë kam lindur në Kosovë dhe i dua të dy vendet. Unë do të jap 100% për Zvicrën. Me siguri do të jetë një moment krenarie. Do të shijoj çdo moment të lojës atje, sepse e gjithë familja ime do të vijë. Do të jetë emocionale për mua. Dhe jam i sigurt se do të kemi një pritje shumë të ngrohtë.”
Në moshën 31-vjeçare Shaqiri po hyn në vitet e muzgut të karrierës së tij. Ai është ende në lëvizje. Zjarri në sytë e tij, i farkëtuar në fëmijëri në një sfond lufte dhe sakrificash, vazhdon të digjet me vendosmëri. Ka ende diçka për Shaqirin.