“Do të ndërtojmë stadumin e ri të kryeqytetit i cili do të jetë në shërbim të Kombëtares dhe kryeqytetit”, kjo ishte deklarata e të parit të Prishtinës, Përparim Rama dhënë në janar të këtij viti, gjatë një vizite që kishte me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në Stamboll të Turqisë.
“Së bashku me Kryetarin e Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, vizituam Stadiumin Olimpik në Stamboll, në të cilin UEFA parasheh që të luhet finalja e Ligës së Kampionëve dhe disa ndërtesa të tjera të rëndësishme.
Eksploruam mundësitë dhe idetë që Stadiumi i Ri i Kryeqytetit i cili do të ndërtohet në Kampusin e Sporteve në Bërnicën e Poshtme, të jetë i UEFA category 4.
Ky Stadium do të jetë në shërbim të ekipeve kombëtare dhe të Kryeqytetit”, kishte shkruar Rama në Facebook.
Që nga ajo kohë nuk kemi parë më asnjë lëvizje në këtë drejtim, derisa infraatruktura në vend vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë.
Aktualisht i vetmi stadium që plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare është “Fadil Vokrri”, por stërngarkesa në të, shpesh ka bërë që ai të rëndohet dhe të rrezikoi përjashtimin nga UEFA. Padyshim nga kjo situatë më se keqi po e përjeton edhe FC Prishtina e cila çdoherë kur ka ndeshje Kosova, duhet për dy javë (me synim që ta ruajtur fushën) të mos mund të luajë aty dhe strehë të kërkojë diku tjetër.
Demokracia.com është munduar sot gjatë ditës të marrë informata më shumë nga Komuna e Prishtinës lidhur me atë premtimin e Ramës por ka qenë e pamundur, ndoshta edhe për shkak se sot është ditë pushimi në vend.
Sido që të jetë numri një i FFK-së, Agim Ademi vazhdimisht ka shprehur gadishmërin që institucioni që ai drejton është gati të japë kontributin që Kosova të krijojë kushte sa më të mira për zhvillimin e futbollit, derisa është shumë e qartë që vetëm një stadium është shumë pak për një vend si Kosova që ka kaq shumë entuziazëm dhe dashamirë të futbollit.