Sektori privat gjatë pandemisë COVID-19 është përballur me humbje të mëdha, mbi 30 mijë persona mbetën pa punë e shumë të tjerë nuk u paguan.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka folur në lidhje me gjendjen e punëtorëve në sektorin privat dhe kategoritë më të rënduara ekonomikisht për shkak të përhapjes së pandemisë së Coronavirusit.
Sipas Azemit, Qeveria e Kosovës është dashur që pagën e dytë të punëtorëve ta ekzekutojë në fund të muajit maj, duke shtuar se kjo qeveri po vazhdon me trendin e jashtëligjshëm.
“Po përfundon edhe muaji i katërt që kemi filluar me pandeminë dhe është dashur që edhe buxheti për rimëkëmbjen ekonomike të shpërndahet, ku as faza e parë nuk ka arritur të përfundojë për shkak të mospërgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës. Sipas vendimit që ka Qeveria e Kosovës paga e dytë e punëtorëve për COVID-19 është dashur të ekzekutohet në fund të muajit maj dhe ne jemi në fund të muajit qershor dhe ende nuk ka përfunduar faza e parë. Edhe kjo qeveri po vazhdon me trendin e jashtëligjshëm sikurse qeveria e mëhershme, sepse ne si sindikatë kemi njoftuar opinionin se janë bërë keqpërdorime në ndarjen e mjeteve. Dhe ne prapë po thërrasim qeverinë uluni dhe shikoni gabimet që janë bërë nga e kaluara”, tha Azemi në një intervistë për Ekonomia Online.
Mes tjerash, Azemi ka thënë se mbi 20 mijë punëtorë të sektorit privat nuk kanë marrë as pagën e parë nga qeveria.
Ai tregoi se mbi 8 milionë euro janë keqpërdorur nga pronarët e kompanive private duke shkuar pagat në llogari të tyre dhe jo punëtorëve. Sipas tij, çdo ditë punëtorët në sektorin privat po humbin vendin e tyre të punës.
“Punëtorët e sektorit privat janë të zhgënjyer sepse kemi mbi 20 mijë punëtorë të sektorit privat që nuk kanë marr as pagën në fazën e parë aq më keq një shumë bukur e madhe kanë shkuar në llogaritë e punëtorëve. Kemi kompani që nga zeroja deri në fund kanë shkuar në llogari të pronarëve dhe nuk kanë shkuar në llogari të punëtorëve. I kemi njoftuar të gjitha institucionet dhe prokurorinë që neve po na bënë të dyshuar që edhe kjo qeveri do të vazhdojë trendin e qeverisë së mëhershme për keqpërdorimin e mjeteve. Ka mbi 8 milionë euro që janë keqpërdorur dhe ne kemi fakte. Kemi çdo ditë punëtorë që vijnë këtu dhe po e humbin vendin e tyre të punës sepse jemi shumë të paorganizuar për të mbrojtur këtë fuqi ekonomike që e kemi”, shtoi Azemi.
Sipas tij, punëtorët po frikësohen t’i shprehin shqetësimet e tyre sepse mund të largohen prej punës nga pronarët e tyre, duke shtuar se shteti është në kolaps.
“Kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi filluar të protestojmë si në Gjilan dhe në shumë komuna të tjera lidhur me keqpërdorimin e mjeteve që kanë bërë pronarët e kompanive por sigurisht rrezikshmëri e vendit të punëtorëve për vendin e punës. Në momentin që kryhet tubimi pronarët e kompanive thërrasin punëtorët dhe i largojnë nga puna. Andaj punëtorët thonë se më mirë të punojnë pa dy tri paga që i ka ndarë Qeveria sesa të mbesim pa punë. Shteti është në kolaps”, shtoi ai.
Azemi ka thënë se kanë dërguar kërkesë te kryeministri, dy zëvendëskryeministrat dhe ministri i Financave, mirëpo ende janë në pritje për një bashkëbisedim në lidhje me zgjidhjen e problemeve që kanë.
“Ne kemi bërë kërkesë për takim me kryeministrin dhe dy zëvendëskryeministrat dhe ministrinë e Financave dhe jemi në pritje për një bashkëbisedim, në mënyrë që të zgjidhen këto probleme që i kemi dhe kemi kërkuar që nëse nuk ftohemi ju si Qeveri jeni në një paralelizëm i pranimit të keqpërdorimit që janë bërë në të kaluarën”, përfundoi Azemi.