Xhiroja e 30-të në Superligën e Kosovës hapet sot me dy ndeshje që pritet të jenë tejet interesante.
Drita, që humbi pozitën e parë në tabelë javën e kaluar dhe mbeti pa trajner, do të jetë nikoqire e Prishtinës.
Në këtë përballje të kaltrit nga Gjilani hyjnë pas dy barazimeve rresht, derisa kryeqytetasit kanë tri fitore në katër sfidat e fundit.
Sa i përket renditjes, Drita është e dyta me 57 pikë, një më pak se lideri, e plot 16 pikë më shumë se Prishtina që është e katërta.
Në duelet direkte, një fitore ka Drita, një Prishtina, e një ndeshje ka përfunduar pa fitues.
Ndeshja tjetër për sot është ajo mes Ferizajt dhe Malishevës, skuadrave që pësuan humbje në xhiron e kaluar.
Vetëm një pikë është dallimi mes tyre në renditjen në tabelë, me Ferizajn që ka 31 për pozitën e tetë, karshi 30 pikëve të Malishevës si e nënta.
Nga tri përballjet direkte të këtij sezoni, dy fitore i kanë takuar malishevasve, teksa një është mbyllur baras.
Të dy ndeshjet e sotme do të zhvillohen nga ora 15:00.