Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë të enjten pas barazimit me Prishtinën, se Ballkani e ka edhe një rast për titull kampioni në elitën e futbollit të Kosovës.Ballkani dhe Prishtina barazuan 1:1 në Suharekë. Drita është e para me 66 pikë, ndërsa Ballkani i dyti në tabelë me tri pikë më pak.Në fundjavë, Ballkani luan në udhëtim te Drita për duelin direkt për titull.
“Bëmë golin në minutën e fundit, por kjo nuk ishte loja. Kishim shumë raste. Nëse do t’i realizonim, do të ishim më të qetë. 180 minuta, duke futur edhe lojën e kaluar, kundërshtarët vijnë nga një herë te porta dhe marrim dy gola. Ne kishim shumë raste të humbura sot. Por krenohemi me lojën që luajmë dhe me tifozët që kudo që jemi, në shtëpi apo mysafir, stadiumi është i mbushur me shikues. Pas tre ditësh do të luajmë në Gjilan me një kundërshtare si Drita që është tre pikë para nesh”, ka thënë Daja fillimisht, ndërsa më pas theksoi se lojtarët ishin jo mirë në aspektin psikologjik në pjesën e dytë.
“Një nga komponentët e futbollit është edhe komponenti psikologjik. Nuk është e lehtë ta komandosh pjesën e parë dhe të pësosh gol në minutat shtesë të pjesës së parë. Edhe lojtarët janë njerëz. Në fillim të pjesës së dytë nuk u organizuam mirë në aspektin ofensiv, kundërshtari u kthye në mbrojtje. Por mentaliteti i fituesit që ka ekipi, shkoi deri në fund për golin e barazimit. Barazimi na jep shansin të përballemi direkt me kundërshtarin”, ka thënë Daja pas ndeshjes.