Merret vendimi për Novak Gjokoviqin
Organizatorët e turneut të tenisit, “Roland Garros” kanë vendosur mos ta ndëshkojnë tenistin serb, Novak Gjokoviq për mbishkrimin e tij kundër Republikës së Kosovës.
Përmes një komunikate për shtyp, Federata Franceze e Tenisit që është edhe organizatore e këtij turneu ka njoftuar se tenisti serb nuk do të dënohet.
Kjo për shkak se sipas tyre nuk ka rregulla specifike që e dënojnë një veprim të tillë.
“Askund në rregullat zyrtare të Grand Slam nuk thuhet se çfarë mund dhe nuk mund të thotë një lojtar. FFT nuk do të marrë asnjë masë”, thuhet në deklaratën e Federatës Franceze të Tenisit.
Gjokoviq shkroi një mesazh kundërthënës dje pas ndeshjes me Aleksandar Kovaçeviq.
“Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Stop dhunës”, shkroi në objektivin e kamerës dje, duke ngjallur reagime të shumta në publik.