Kanë përfunduar garat e Beach Volley për grupmoshën U22 në të dy konkurrencat, me ndeshjet e së dielës në “Holiday Resort” të Sllatinës së Madhe.
Ishte një fundjavë që dhuroi ndeshje dhe momente brilante që e karakterizojnë volejbollin në rërë, deri te finalet e pasdites. Plot 22 ekipe në të dy konkurrencat morën pjesë (12 te femrat dhe 10 te meshkujt). Te femrat, kampione u shpall dyshja Yllka Jashari/Melirona Avdullahu pas një paraqitjeje fantastike në finalen kundër Erëza Rushitit dhe Amela Llugaliut, të cilat i mposhtën me rezultat 0-2 (17-21, 18-21). Në përballjen për vend të tretë triumfoi dyshja Vanesa Abazi/SiboraGashani me rezultat 2-1 (21-15, 16-21, 15-13) kundër çiftit Gashi/Nrecaj.
Te meshkujt, ekipi i përbërë nga Erion Bajrami dhe Ermal Maliqi ishte e pandalshme, duke arritur të fitojë titullin pas një super finaleje kundër Enes Shabanit dhe Yll Salihut. Maliqi/Bajrami triumfoi me rezultat 2-0 (21-12, 21-18), duke treguar paraqitje impresive edhe përgjatë rrugëtimit drejt finales.
Vendin e tretë e zuri ekipi i përbërë nga volejbollistët Endrit Syla dhe Florent Podrimqaku, të cilët mposhtën në ndeshjen për këtë pozitë dyshen Gashi/Nrecaj.
Medaljet për tre vendet e para u ndanë nga drejtori i kompanisë “Vlera Sport”, Faton Paqarada dhe drejtori i “Holiday Resort”, Sadik Gashi.
Për kampionët në konkurrencën e meshkujve kupa u nda nga sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi, ndërsa presidenti i FVK-së, Bahri Gjinovci ndau kupën për ekipin triumfues në konkurrencën e femrave.