Futbollisti me tipare defansive i skuadrës gjermane, Stuttgart, Nuredin Rexhepi është ardhja më e re në Kombëtaren e Kosovës.
Vetëm një ditë pasi prezantoi lojtarin tjetër të skuadrës gjermane, Eliot Bujupi; Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi prezanton yllin e ri 17 vjeçar.
Më posht e gjeni njoftimin e Ademit, përcjell Albanian News:
🇽🇰 Mirësevini në radhët e Dardanëve, Nuredin Rexhepi! 🇽🇰
Sot dua të ndaj me të gjithë ju një tjetër lajm të mrekullueshëm pasi talenti i ri, Nuredin Rexhepi, tashmë do të përfaqësojë Kombëtaren e Kosovës.
Nuredini është një 17-vjeçar shumë premtues, qendërmbrojtës i ekipit të VfB Stuttgart.
Nuredini, i cili deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares U17 të Gjermanisë, ka vendosur të luajë me gjithë zemër për Kombëtaren e Kosovës.
Ky vendim i vlefshëm është marrë nga Nuredini dhe familja e tij, duke shprehur dëshirën e tyre të flaktë për ta përfaqësuar vendin e tyre.
Nuredini ka treguar shkathtësi të jashtëzakonshme në fushën e gjelbër. Përveç performancës së mirë në repartin e mbrojtjes, ai ka shënuar edhe katër gola në sezonin e kaluar në Bundesligën U17. Kjo e dëshmon talentin dhe efikasitetin e tij edhe para portave kundërshtare.
Ajo që na bën shumë krenarë është fakti se kemi një Diasporë të mrekullueshme, e cila po i rrit fëmijët e tyre me dashuri për atdheun.
Nuredini është shembull i shkëlqyeshëm i gjithë kësaj, duke e vendosur Kosovën në zemrën e tij dhe duke shprehur dëshirën për të përfaqësuar ngjyrat e kombëtares sonë.
Nuredinin e përgëzova që ka zgjedhur të bashkohet me ne dhe i urova shumë suksese në karrierën e tij.
Tani mbetet që ai të rregullojë dokumentacionin e nevojshëm dhe të pajiset me nënshtetësinë e Kosovës në mënyrë që ta fitojë të drejtën të luajë në fanellën dardane.
#BashkëPërFutbollin #TalentetKosovar #DashuriPërAtdheun🇽🇰 #KosovënNëZemër