Presidenti i FFK-së, Agim Ademi po e vazhdon vizitën e tij në Gjermani, ku ndër të tjera po angazhohet që të sigurojë shërbimet e futbollistëve të talentuar që luajnë në klubet gjermane për ekipet zinxhir të Kombëtares së Kosovës.
Pasi ka prezantuar Eliot Bujupin dhe Nuredin Rexhepin si lojtarë të rinj të Kosovës, i pari i futbollit kosovar sonte në mbrëmje ka vizituar talentin e Augsburgut, Ermal Bojaxhiun. Ky i fundit tashmë është bërë pjesë e ekipeve të grupmoshave të Dardanëve.
“Sonte e vizitova Ermal Bojaxhiun, anëtarin e Kombëtares së Kosovës U-17, i cili aktualisht luan në ekipin e U-19 të FC Augsburg. Ermali është një futbollist shumë i talentuar, i vlerësuar edhe nga ekspertët tanë të përzgjedhjes së talenteve. Ai ka marrë pjesë në kampin e organizuar nga Federata e Futbollit të Kosovës në Frankfurt, si dhe ka luajtur për Kosovën U-15 në turneun zhvillimor të UEFA-së në Maqedoninë e Veriut, pas ftesës nga trajneri Ilir Nallbani. E inkurajova Ermalin që të vazhdojë të punojë fort për të arritur një karrierë të suksesshme dhe për të përfaqësuar Kosovën në nivelet më të larta”, ka shkruar Ademi në Instagram.