Liverpooli ka shënuar fitore të thellë ndaj Crystal Palace me rezultat 4-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të në Ligën Premier.
Ekipi i Jurgen Klopp i është kthyer fitoreve në kampionat dhe tani pret një gabim nga Manchester City në udhëtim te Chelsea për t’u shpallur kampion i Anglisë për këtë sezon.
Pjesa e parë ndaj Crystal Palace u karakterizua me dominim të Redsave, të cilët përveç rasteve të shumta, arritën të shënojnë edhe dy gola.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 23-të dhe ishte Trent Alexander-Arnold, i cili shënoi një supergol nga goditja e dënimit për epërsinë 1-0.
Liverpooli nuk u ndal dhe në minutën e 44-të shënoi edhe golin e dytë me anë të yllit të skuadrës, Mohamed Salah për 2-0.
Në pjesën e dytë, përsëri ishte ekipi i Klopp që diktoi lojën, krijoi më shumë raste, dominoi dhe shënoi edhe dy gola tjerë.
Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 55-të dhe ishte mesfushori brazilian, Fabinho, i cili shënoi një supergol nga distanca për 3-0.
Listës së golashënuesve iu bashkëngjit edhe sulmuesi Sadio Mane që shënoi në minutën e 69-të për 4-0 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.
Pas kësaj fitore, Reds kanë 86 pikë në vendin e parë apo 23 më shumë se Manchester City i dyti me një ndeshje më pak, ndërsa Palace zë vendin e nëntë me 42 pikë.
Në ndeshjen e radhës, Liverpooli udhëton te City, ku mund ta festojë titullin e parë pas 30 viteve, ndërsa Crystal Palace e pret Burnleyn. /Telegrafi/