Sot në Kampin Nacional në Hajvali ka filluar Kampi pesëditor me futbollistët nga Diaspora në grupmoshat U15, U16 dhe U17. Në hapje të këtij kampi mirëseardhje të gjithë futbollistëve u shprehu presidenti Agim Ademi. Ai vuri në pah rëndësinë e grumbullimeve të tilla dhe u shpreh i lumtur që talentet jashtë vendit e kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e projektit të Kosovës.
Në fjalën e tij emocionuese para futbollistëve, kreu i FFK-së shprehu mirënjohjen ndaj prindërve dhe familjeve të futbollistëve për edukimin dhe rritjen e tyre në Evropë, por me një ndjenjë të thellë patriotike për vendin e tyre, Kosovën. Ai i inkurajoi ata të lartësojnë shtetin e tyre dhe të shfrytëzojnë potencialin e tyre për të arritur së bashku suksese në futboll.
“Ne e kemi Kosovën si shtetin më të ri të Evropës dhe duam ta lartësojmë sa më shumë. Federata beson në ju dhe uron që ju ta ngritni Kosovën sa më lart. Sot është privilegj ta bartësh uniformën e shtetit tonë, i cili u bë me shumë sakrificë të të gjithëve dhe po zhvillohet me dashurinë dhe mbështetjen e miqve tanë, Diasporës sonë të vyeshme dhe popullit të Kosovës me shumë dinjitet”, ka thënë Ademi.
Në fakt, FFK po synon që përmes kampeve të tilla në periudhën e verës kur shumë familje nga Diaspora ndodhen për pushime në vendlindje t’i japë mundësi të gjitha talenteve jashtë vendit që ta shfaqin potencialin e tyre para trajnerëve të kombëtareve zinxhir, në mënyrë që në të ardhmen të jenë pjesë e rëndësishme e sukseseve të kombëtares dardane.