Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore edhe në miqësoren e dytë kundër Lihtenshtajnit, e cila u zhvillua në Kampin Nacional në Hajvali. Pas fitores në ndeshjen e parë me shifrat 4:0, kësaj radhe Dardanet fituan me rezultat 2:0.
Përzgjedhësja Anneli Andersen e nisi ndeshjen me 11-she krejt tjetër për dallim nga dueli i parë, duke i dhënë hapësirë të barabartë të gjitha futbollisteve: Alma Demiri, Albulena Fejza, Gresa Berisha, Blerta Smajli, Leonora Ejupi, Loreta Lulaj, Blerta Shala, Viola Abduli, Modesta Uka, Egzona Zeka dhe Jehona Shala ishin titullare, derisa në pjesën e dytë u aktivizuan shumica e futbollisteve tjera. Edhe në ndeshjen e sotme Kosova e dominoi lojën që nga fillimi, por vapa e madhe ndikoi në paraqitjen e të dyja ekipeve. Përkundër disa rasteve të krijuara kjo pjesëlojë u mbyll pa gola.
Në pjesën e dytë trajnerja Andersen bëri disa zëvendësime, të cilat sollën freski në lojë por edhe gola. Ishte minuta e 75-të kur Donjeta Halilaj shënoi me një goditje të saktë nga zona për zhbllokimin e shifrave, derisa pesë minuta më vonë Rrezona Ramadani shënoi për 2:0, që në fund ishte edhe rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje. Këto dy miqësore i kanë shërbyer përzgjedhëses Andersen për ndeshjet e edicionit të parë të Ligës së Kombeve që nis në shtator.