Barcelona aktualisht ka vetëm 13 lojtarë të regjistruar në La Liga, teksa fillimi i sezonit të ri po afron.
“Blaugranët” do të nisin sezonin më 13 gusht, kur do të luajnë në udhëtim ndaj Getafes.
Nëse duan që Xavi Hernandez të ketë në dispozicion të gjithë skuadrën e tij për këtë përballje, atëherë ata kanë 18 ditë për ta rregulluar këtë çështje.
Kohët e fundit u raportua se pagesat e vonuara nga shitja e 49.5% të “Barca Studios” verën e kaluar mund t’u shkaktojnë probleme të rëndësishme, por Barcelona duket se e ka zgjidhur këtë çështje.
Barcelona po punon gjithashtu për një marrëveshje të veçantë për të cilën “Mundo Deportivo” ka raportuar se do të lejojë klubin të regjistrojë rinovimet e kontratave të Ronald Araujo, Gavi, Sergi Roberto, Marcos Alonso dhe Inaki Pena, si dhe përforcimet; Oriol Romeu, Ilkay Gundogan dhe Inigo Martinez.
Kjo marrëveshje thuhet do të përfundojë para fundjavës, nëse gjithçka shkon sipas planit, dhe me sa duket do të jetë një formë sponsorizimi.
Te katalunasit ka besim të plotë se Xavi do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion.