Gazeta më e lexuar sportive në Rumani, Gazeta Sporturilor (GSP) raporton se Rapidi i Bukureshtit ka hasur në një problem të madh lidhur me transferimin e Albion Rrahmanit nga Ballkani i Suharekës.
Siç raporton GSP, për momentin kosovari nuk mund të hyjë dhe të punojë në Bukuresht, pasi pasaporta e tij nuk njihet në Rumani. Rapidi aktualisht po kërkon të gjejë një zgjidhje.
Siç raportuan sot mediat rumune, GSP dhe Fanatik, Rapidi i Bukureshtit ka arritur marrëveshje me Ballkanin për transferimin e sulmuesit që ka shënuar 30 gola në 50 paraqitje për kosovarët në të gjitha garat sezonin e kaluar.
Transferimi i Rrahmanit në Rapid do t’i sjell përfitime rreth 6-700 mijë euro klubit të Ballkanit.
Por ka një problem të madh. Lojtari ka vetëm pasaportë të Kosovës dhe aktualisht nuk mund të hyjë dhe të punojë në Rumani. Arsyeja? Në nivelin diplomatik, shteti i Kosovës nuk njihet në Rumani.