Përleshja me armë në lokalin “Bon Vivant” të premtën që shkoi la të vdekur një person dhe të plagosur tre të tjerë. Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti të implikuar në këtë rast iu caktua një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore.
Andi Pajaziti i njohur me nofkën “Italiani” është i dyshuari kryesor për vrasjen e Kastriot Ramadanit.
Në seancën që u zhvillua të dielën, Fanol Krasniqi avokat i Andi Pajazitit deklaroi se vepra e klientit të tij është kryer në vetmbrojtje.
“Vepra e kryer pa dëshirën time nuk është vepër e mija, pikërisht kjo thënie ka të bëjë me të mbrojturin tim i cili është gjetur në një situatë vdis ose mbroje veten. Se është gjendur Andi në këtë situatë flet përshkrimi faktik i kërkesës për caktimin e masës së parabrugimit dhe flasin edhe raportet mjekësore që tani më gjendet në repartin ku është mjekuar. Kualifikimi në këtë fazë ia ka rënduar pozitën të pandehurit mbi bazën se tani më keni një viktimë por ajo viktimë është pa dashjen e tani të pandehurit Andi”, thuhet në dosjen e siguruar nga Gazeta Insajderi.
“Se sulmi ka ndodhur në vazhdimësi dhe pa ndërprerë nga ana e sulmuesit flet kërkesa për caktimin e paraburgimit. I vetmi veprim i Andit ka qenë që ta zmbraps sulmin i cili ka qenë i vërtetë, i kundërligjshëm në drejtim të tij. Pra Andi me një veprim ka zmbrapsur sulmin dhe është munduar të gjejë rrugën dhe të ikë nga vendi ku ka ndodhur kjo ngjarje tragjike”, ka deklaruar tutje avokati Krasniqi.Ndërsa i pandehuri Andi Pajaziti lidhur me kërkesën për caktimin e paraburgimit tha se nuk është në gjendje të flasë dhe se e mbështet fjalën e avokatit të tij.