Një 13 vjeçare nga Drenasi dyshohet se ka humbur jetën në një pishinë në fshatin Baicë të Lipjanit. Rasti është konfirmuar nga policia e Kosovës.
Ndërkohë për rastin tragjik të ditës së sotme për televizionin 7 kanë folur dy dëshmitarë. Sipas tyre, e ndjera ka qëndruar në ujë rreth një orë para se t’i ofrohej ndihma.
Besart Bajraktari, banor i fshatit ishte i pari që pa viktimën dhe tentoi ta ndihmonte. Në përpjekje të tillë ai kishte takuar rastësisht një polic, i cili gjithashtu kishte provuar të ndihmonte.
Ai tregon se me makinën e tij, tashmë të ndjerën e kishin dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Komoran, pasi paraprakisht QMF’në e Shalës e kishin gjet të mbyllur.
“Kam tentuar mi dhanë ndihmën e shpejtë. Kam marrë ndihmën edhe të një polici. E kam dërguar në Shalë në ambulantë, aty ishte mbyll, pastaj e kemi dërguar në Komoran por ajo kishte vdekur”, tha ai për T7.
Ndërkohë dëshmitari tjetër ka treguar se thellësia maksimale e pishinës është dy metra.
Ai tha se pishina është publike dhe se është ndërtuar nga vetë fshati.
“Nuk ka persona që kujdesen për ata që vijnë. Ne e kemi cek gjithmonë që secili prind me pas kujdes për fëmijët e tij”, tha ai.
Ai ka treguar se gjatë pandemisë pishina ka punuar me “kapak” derisa sipas tij prej dy javësh pothuajse çdo ditë vizitohet nga qindra qytetarë .
Sipas MSH’së pishinat në Kosovë pishinat duhet hapur nga 1 korriku.