Të premten mbrëma Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen luajtën baras 2-2 që la shije të hidhur në kampin bavarez, e aq më tepër kur pas ndeshjes, qendërmbrojtësi holandez Matthijs De Ligt shpërtheu me kritika ndaj trajnerit Thomas Tuchel për minutazhën e vogël të tij në fushë.
Ai e konsideroi si të tmerrshme situatën nëpër të cilën po kalon nën urdhrat e trajnerit gjerman.
“Çfarë mund të them për këtë? Nuk kam luajtur aq shumë në katër ndeshjet e fundit, kjo është e tmerrshme dhe sigurisht jo aq e bukur. Sigurisht që unë gjithmonë dua të luaj”, tha de Ligt i acaruar.
Pavarësisht se ishte një nga emrat e parë në formacionin e skuadrës sezonin e kaluar, holandezi nuk ka filluar ende një ndeshje të ligës këtë sezon dhe ka arritur vetëm 37 minuta lojë nga katër përballjet e para.
Ardhja e Kim Min-jae në mbrojtjen e Bayernit duket se e ka lënë jashtë skuadrës holandezin, ndërsa Dayot Upamecano ka ruajtur vendin e tij në 11-shen fillestare të Thomas Tuchel.
Reprezentuesi holandez është qartësisht i frustruar me Tuchelin dhe ai nuk është lojtari i vetëm brenda skuadrës së Bayernit që ka një problem me ish-trajnerin e Borussia Dortmund. Tensioni ndaj Tuchel tani po rritet rreth klubit dhe pas një fillimi të dobët të sezonit, bordi i Bayernit mund të ndërhyjë, veçanërisht me ish-trajnerin Hansi Flick që është i lirë dhe i gatshëm për ta pasuar atë.