Mes pandemisë dhe temperaturave të larta, qindra qytetarë e turistë të ardhur nga Kosova janë dyndur drejt plazheve të Durrësit për t’i shpëtuar vapës përvëluese.
Thonë se ndihen mirë me masat e ndërmarra nga operatorët turistikë për shkak të pandemisë së Covid-19, ndonëse shprehin shqetësim për mos respektimin e distancës fizike nga ana e pushuesve.
Krahas plazheve private përgjatë vijës bregdetare në Durrës, këtë sezon veror pushuesit do të gjejnë më shumë hapësira publike. Nga Ura e Dajlanit deri tek zona e Përroit të Agait, 65 hapësira për plazhe publike janë në dispozicion të qytetarëve durrsakë dhe pushuesve.
Ky vendim është mirëpritur nga pushuesit, por ata kërkojnë nga autoritetet lokale që këto hapësira të pajisen me banjo e dushe. Me çadra e ushqime me vete, pushues të shumtë kanë zgjedhur këtë fundjavë të pushojnë në plazhin e Divjakës.
Hapësira e madhe e rërës u ka dhënë mundësinë të respektojnë distancën mbi dy metër sipas rregullave të mbrojtjes nga Covid-19. Ata që tentuan të hapnin shezlongët nuk u lejuan nga policia që patrullonte përgjatë vijës bregdetare.
Turistët e parë për këtë fundjavë në Divjakë janë nga Kosova, të cilët krahas plazhit pjesë të guidës kanë edhe vizitën në Parkun Kombëtar. Dyndja e turistëve në bregdetin e Divjakës shkaktoi në orët e para të mëngjesit trafik, ç’ka detyroi policinë të ndërhyjë për rregullimin e qarkullimit.
Tv Klan
{