Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka shprehur ngushëllimet e tij dhe institucionit që ai drejton për ish trajnerin e futbollit Iljaz Sina, i cili ndërroi jetë nje dite më parë.
Postimi i Ademit:
Sot ka ndërruar jetë doajeni i futbollit të Kosovës, Iljaz Sina.
Futbolli ynë ishte i privilegjuar që kishte një figurë të tillë. Iljaz Sina ishte më shumë se një trajner futbolli; ishte një udhëheqës dhe një burrë i madh sporti.
Vlerat e tij ndaj futbollit dhe sportit në përgjithësi ishin të pamatshme.
Në vitet e tij si trajner, Iljaz Sina bëri histori për KF Vëllaznimi, por la gjurmë edhe në klubet e kryeqytetit.
Ai nuk u angazhua vetëm për të fituar ndeshjet, por edhe për të përmirësuar profesionalizmin dhe standardet e klubeve në vendin tonë.
Ai ishte një lider që udhëhoqi me profesionalizëm kudo që punoi, duke nxitur lojtarët të punonin me zell dhe përkushtim.
Përveç suksesit në futboll, Iljaz Sina gjithashtu kujtohet për angazhimin e tij si udhëheqës i institucionit sportiv në Kosovë. Ai me vizionin dhe intelektin e tij ndihmoi në rritjen e shumë gjeneratave të suksesshme të sportistëve kosovarë.
Kur përmendim Iljaz Sinën, do të kujtojmë çdo herë njeriun e urtë, punëtorin e madh sportiv dhe atdhetarin e madh.
Dëshira dhe pasioni i tij për të ndihmuar Kosovën në rrugën e suksesit ishin të paimagjinueshme.
Kosova humbi një thesar të vyer, por trashëgimia e tij do të rrojë përgjithmonë në historinë e futbollit tonë.
Duke nderuar Iljaz Sinën do të angazhohemi për të vazhduar misionin e tij për zhvillimin e sportit në Kosovë.
Me këtë rast dua të dërgoj ngushëllimet më të sinqerta për familjen Sina, miqtë e tij dhe të gjithë ata që patën privilegj të punonin e ta njihnin.
Pusho i qetë Legjendë!