Sandro Tonali i Newcastle United po përballet me një pezullim të mundshëm deri në tre vjet për shkak të një hetimi për baste të paligjshme. Krahas tij, në këtë hetim të nisur nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) është përfshirë edhe Nicolo Zaniolo, aktualisht i huazuar në Aston Villa.
Dyshja e lojtarëve të Ligës Premier u larguan nga kampi stërvitor i Italisë pasi mësuan për këtë hetim dhe më pas u morën në pyetje nga policia.
Akuza sillet rreth përdorimit të platformave të paligjshme të basteve në internet. Në Itali, përdorimi i basteve të licencuar nuk është vepër penale.
Megjithatë, përdorimi i basteve të palicencuara mund të çojë në akuza penale, me dënim deri në tre muaj ose gjobë që varion nga 51,000 deri në 516,000 euro.
Nëse vërtetohet se ata kanë vënë bast për futbollin, kjo do të shkelte nenin 24 të kodit të drejtësisë sportive. Dënimi për këtë vepër është ndalim prej të paktën tre vjetësh dhe gjobë prej së paku 25,000 eurosh.
Ky pezullim mund të reduktohet me 50 për qind përmes një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë, duke e ulur potencialisht atë në 18 muaj.
Sipas mediumit The Telegraph, çdo ndalim nga ky hetim ka të ngjarë të zbatohet në mbarë botën, duke përfshirë Ligën Premier. Situata është sigurisht një për t’u parë nga afër.