Ka vdekur këtë të shtunë legjenda angleze e futbollit, Sir Boby Charlton.
Ai konsiderohet si një nga lojtarët më të mëdhenj të Manchester United, duke shënuar 249 gola në 758 paraqitje, shkruan Gazeta Express.
Charlton fitoi Kupën Evropiane me “Djajtë e Kuq” më 1968, si dhe tre tituj kampioni në ligë.
Ish-sulmuesi, i lindur në Ashington, gjithashtu fitoi Kupën e Botës me Anglinë në vitin 1966.
Charlton bëri 106 paraqitje për Kombëtaren e Anglisë, duke shënuar 49 gola, një rekord të cilin e mbajti nga viti 1970 deri në 2015.
Man United në faqen zyrtare të klubit shkroi: “Manchester United është në zi pas ndarjes nga jeta të Sir Bobby Charlton, një prej lojtarëve më të mëdhenj dhe më të dashur në historinë e klubit tonë. Sir Bobby ishte një hero për miliona njerëz, jo vetëm në Manchester apo në Mbretërinë e Bashkuar, por kudo ku luhet futboll në mbarë botën. Ai u admirua sa për sportivitetin dhe integritetin e tij, aq edhe për cilësitë e tij të spikatura si futbollist; Sir Bobby do të mbahet mend gjithmonë si një gjigant i lojës”.
“I diplomuar në Akademinë tonë të të rinjve, Sir Bobby luajti 758 ndeshje dhe shënoi 249 gola gjatë 17 viteve si lojtar i Manchester United, duke fituar Kupën Evropiane, tre tituj ligë dhe FA Cup. Për Anglinë, ai fitoi 106 paraqitje dhe shënoi 49 gola, dhe fitoi Kupën e Botës 1966. Pas daljes në pension, ai vazhdoi t’i shërbejë klubit me cilësi të lartë si drejtor për 39 vjet. Rekordi i tij i pashembullt i arritjeve, karakterit dhe shërbimit do të mbetet përgjithmonë i gdhendur në historinë e Manchester United dhe futbollit anglez; dhe trashëgimia e tij do të jetojë përmes punës që ndryshon jetën e Fondacionit Sir Bobby Charlton. Ngushëllimet e përzemërta të klubit janë me gruan e tij Lady Norma, vajzat dhe nipërit e tij dhe të gjithë ata që e donin atë”.
Sir Bobby Charlton vdiq në moshën 86-vjeçare. /Gazeta Express/