FC Suhareka ’23 ka regjistruar humbjen e dytë radhazi dhe të katërtën për këtë sezon në Ligën e Parë – Grupi A.
Suharekasit pësuan humbje sot në udhëtim ndaj Drenicës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të në kategorinë e dytë të futbollit kosovar,l!
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” përfundoi me rezultatin 3:1. Skuadra nga Skenderaj e fitoi këtë ndeshje me përmbysje, pasi pas pjesës së parë ishte në disavantazh prej një goli.
Kjo ishte edhe humbja e dytë për Suharekën ’23 nën drejtimin e trajnerit Arsim Thaqi.
Auron Hamiti shënoi dy gola në fitoren e drenicasve, kurse një e shënoi Sunay Hasan. “Kuqezinjtë” me këtë rast u kthyen te fitorja, pas barazimit me Istogun javën e kaluar.
Ndërkaq, golin e vetëm për skuadrën nga Suhareka e shënoi Mevlan Zeka.
Kjo ishte ndeshja e vetme për ditën e sotme në Grupin A të Ligës së Parë. Ndeshjet e tjera të kësaj jave do të zhvillohen nesër dhe pasnesër.
Pas kësaj humbje, Suhareka ’23 tani rrezikon seriozisht që ta humbasë edhe vendin e dytë në tabelë, për të mbetur edhe më prapa në realizimin e objektivit për inkuadrim në Superligë.
Skuadra e drejtuar nga Thaqi ka 16 pikë në vendin e dytë, shtatë më pak se lideri nga Ferizaj, Dinamo.
Në anën tjetër, Drenica pas kësaj fitore bëri hap të madh drejt dy pozitave të para në tabelë, pasi tani ka 15 pikë – aq sa edhe Trepça.
Pastaj vije Trepça ’89 me 14 pikë.
Skuadrat nga Mitrovica tani kanë rast të mirë tani për t’u ngritur në tabelë, duke marrë parasysh se janë me një ndeshje më pak.