Ndeshja që prodhoi shtatë gola, një karton të kuq e përmbysje në rezultat, i ka takuar Copenhages që triumfoi kundër Manchester United, në kuadër të Grupit A, në Ligën e Kampionëve.
Copenhagen triumfoi 4:3 kundër Manchester United, në “Parken Stadium” në kryeqytetin danez, shkruan lajmi.net.
Me dy golat e Hojlund në minutat 3 dhe 28-të, Man United avancoi me rezultat të dyfishtë.
Megjithatë, punët për “Djajtë e Kuq” u vështirësuan në minutën e 42-të kur Rashford u përjashtua me karton të kuq direkt.
Elyonoussi shënoi për Copenhagen, duke ngushtuar avantazhin në minutën e 45-të, teksa barazimin ia siguroi Goncalves në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë.
Bruno Fernandes riktheu Man Unitedin në lojë me golin e tretë nga penalltia në minutën e 69-të të takimit.
Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan dhe një herë barazuan rezultatin me anë të Lerager në minutën e 83-të, ndërkohë që tre minuta para fundi të kohës së rregullt, Bardghji përmbysi gjithçka për fitoren e Copenhagen.
Manchester United me këtë humbje bie në vendin e fundit me tri pikë, ndërkaq Copenhagen ngritet në pozitën e dytë me katër pikë.