Ishin 45 minuta për t’u harruar. Pothuajse asgjë nuk ndodhi në fushë për kombëtaren zvicerane pas pushimit mes pjesëve në ndeshjen kualifikuese për EURO 2024 kundër Izraelit, shkruajnë mediat zvicerane.
“20min.ch” raporton se pasoja logjike e lojës së dobët të Zvicrës në gjysmën e dytë të ndeshjes kundër Izraelit ishte kjo: pranim i golit të barazimit në minutën e 88-të. Rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 1-1.
Për herë të katërt në pesë ndeshjet e fundit, skuadra e Murat Yakin nuk arriti të fitonte tri pikët.
Zërat kritikë ndaj trajnerit Yakin që nga ndeshja me Bjellorusinë, nuk kanë gjasa të pakësohen. Trazirat atmosferike brenda kombëtares nuk ka gjasa të zvogëlohen pas ndeshjes kundër Izraelit. Tani, siç shkruan “20min.ch”, është shtuar edhe një telash: zemërimi i yllit të kombëtares zvicerane, Xherdan Shaqirit.
Me një fitore kundër izraelitëve, Zvicra mund ta kishe prerë më herët biletën për në Kampionatin Evropian. Megjithatë, Xherdan Shaqiri, mesfushori më kreativ zviceran, u ul në stol gjatë gjithë lojës.
Nga të gjithë, Yakin zgjodhi të mos e inkuadronte fare në lojë Shaqirin, i cili është asistuesi më i mirë zviceran në kualifikimet aktuale të Kampionatit Evropian.
Por pse ‘Shaqa’ nuk luajti në këtë takim?
Ylli i kombëtares zvicerane nuk u shpreh shumë entuziast për situatën në kombëtare pas ndeshjes. I pyetur për mos inkuadrimin e tij në lojë, Shaqiri tha: “Pyetni trajnerin!”.
Trajneri Yakin u përgjigj pas ndeshjes: “Do të kisha dashur t’i jepja disa minuta, por nuk ishte lojë për Shaqirin”.
Kur rezultati ishte 1-0 për Zvicrën, në pjesën e dytë ai vendosi të luante me lojtarë të tjerë. Këta ishin Dan Ndoye dhe Andi Zeqiri, që të dy ishin krejtësisht të paefektshëm, shkruajnë mediat zvicerane. Madje ky i fundit u zëvendësua pas përjashtimit të Edimilson Fernandes.
Hidhërimin e Shaqirit e shton edhe një fakt tjetër. Nëse ai do të ishte zëvendësuar, do të kishte regjistruar paraqitjen e tij të 118 ndërkombëtare të mërkurën dhe do të kishte barazuar rekordin e mbajtur prej kohësh nga Heinz Herrmann.
Kundër vendlindjes së tij, Kosovës, në qytetin e tij të Bazelit, ai mund ta kishte thyer rekordin e Herrmanit.