Sot kudo ku ka shqiptar festohet 28 Nëntori – Dita e Flamurit kombëtar dhe dita e pavarësisë së Shqipërisë. Me një mesazh urimi në këtë ditë nuk ka munguar as nga kreu i FFK-së, Agim Ademi.
Mesazhi i plotë i Ademit:
Të nderuar drejtues të institucioneve shtetërore;
Familje të heronjve e të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, veprimtarë të çështjes kombëtare;
Të dashur drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, ish-udhëheqës të sportit, ish-futbollistë, gjyqtarë, anëtarë të FFK-së, Dardanë e tifozë të klubeve, sponsorë e donatorë;
Të respektuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkëkombës kudo që jetoni!
Sot festojmë 28 Nëntorin, një nga datat më të rëndësishme në historinë e kombit tonë. Dita e Flamurit është festa që bashkon të gjithë shqiptarët kudo në botë.
Në këtë festë ndjejmë krenari dhe njëherësh kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që luftuan ndër shekuj për ruajtjen e indentitetit shqiptar dhe krijimin e lirisë dhe pavarësisë sonë.
Sot shqiptarët festojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Malin e Zi, Luginë të Preshevës, Çamëri, Evropë e SHBA dhe kudo ku frymon gjuha shqipe.
Në këtë ditë festojmë edhe Ditëlindjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së në vitin 1997!
Kësaj dite të madhe të kombit shqiptar sivjet i parapriu festa e madhe e kualifikimit të Kombëtares së Shqipërisë në Euro 2024, duke na bërë krenar të gjithëve. Për herë të dytë në histori flamuri kuqezi, për të cilin u derdh shumë gjak ndër shekuj, do të valvitet e do të na përfaqësojë në festivalin e futbollit evropian në Gjermani.
Duke ju uruar përzemërsisht të gjithëve 28 Nëntorin, shpresoj që si komb do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në realizimin e aspiratave tona, në mënyrë që në të ardhmen e afërt të jemi bashkë pjesë e Bashkimit Evropian.
Lavdi e përjetshme për të gjithë heronjtë dhe veprimtarët që luftuan e punuan për lirinë e popullit shqiptar!
Zoti e bekoftë popullin shqiptar!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së