Kanalet televizive “ArenaSport” nuk do të transmetohen në operatorët kabllorë në Kosovë, ka vendosur sot shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale.
Kanalet televizive të sportit ishin transmetuar përmes tri platformave televizive, por ishin ndaluar pas tre muaj më parë me vendim të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Edhe Dhoma e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale në nëntor të vitit të kaluar vendosi kundër ankesës së operatorit të shpërndarjes Artmotion, e cila kërkoi shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të KPM-së.
Të mërkurën, aktvendimi i shkallës së parë është vërtetuar edhe nga Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, raporton Paparaci.
Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Dren Rugova – kryetar i kolegjit dhe anëtarët Krenar Berisha dhe Ramush Bardiqi.
Dhomat e Shkallës së Dytë të Komerciales këtë ankesë e kanë gjetur të pabazuar dhe vendimin e shkallës së parë e kanë vërtetuar.
Me këtë vendim shkalla e dytë e Komerciales ka shtjelluar se e konsideron të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e shkallës së parë.
Tutje në këtë aktvendim thuhet se përmbajtja e programeve në fjalë përbën cenim për integritetin territorial të Kosovës përmes promovimit të veprave terroriste.
Ndalimi i transmetimit të kanaleve televizive ArenaSport ishte marrë pas transmetimit të mesazheve me mbishkrimin “Do t’i kujtojmë” dhe “Lavdi heronjëve” të dedikuara për terroristët e vrarë gjatë sulmit terrorist në fshatin Banjskë.