Interesim i jashtëzakonshëm po mbretëron për derbin lokal të futbollit kosovar, FC Liria – FC Ballkani.
Shkallët e stadiumit “Përparim Thaçi”, do të jenë të mbushura të dielën. Për këtë s’ka asnjë dilemë. Kujtojmë se edhe në ndeshjen e parë të kampionatit, të këtyre dy skuadrave, stadiumi ishte i stërmbushur!
Këtë ditë, Liria pret Ballkanin, në luftën e ashpër për mbijetesë.
Ndonëse, skuadrën e përcollën disa probleme, sidomos me mungesën e lojtarëve që ishin në grumbullim me Namibin, në Kupën e Afrikës, menagjmenti i Lirisë, shprehet i gatshëm para ndeshjes me Ballkanin.
“Ne, gjatë gjithë kohës, nga mbarimi i stinorit vjeshtor, jemi munduar të bëjmë më të mirën. Kemi angazhuar shumë futbollistë cilësor.
Liria, nuk e ka ndërmend në asnjë moment të dorëzohet. Përkundrazi, me përkrahjen e publikut, që është më i miri në vend, do të jemi arrë e fortë për çdo skuadër.
Jemi të bindur se do të mbijetojmë. Këtë e meritojnë adhuruesit e shumtë. Liria, është hijeshia e Albi Mall Superligës. Është brend në vete. Nga këtu buron edhe optimizmi ynë, se suksesi në arritjen e objektivit s’do të mungojë”, ka thënë Valon Osmani kryetar.
“Liria, ka bërë shumë prurje cilësore. Në këtë drejtim krahas rezultateve që synojmë e që janë prioritet, do të tregojmë dhe ndeshje kualitative.Rasti i parë është mu kundër kampionit në fuqi, ku do të tregojmë vlerat tona”, ka thënë Valon Osmani, fare në fund, para sfidës me Ballkanin, duke kërkuar mbështetjen e qytetit dhe rrethinës për arritjen e qëllimit.
Ndërkoh, në katër pika shitjeje në qytet, per 4-5 orë, janë shitur rrethè 4 mijë bileta, sipas kryetarit, Valon Osmani.
Pra, të dielën pritet atmosferë e zjarrtë në Prizren.
Ndeshja, Liria-Ballkani, luhet të dielën në “Përparim Thaçi”, në ora 13.00.