Ditë më parë ndërroi jetë lokja 65-vjeçare, Vahile Dauti nga fshati Çerkez i Kumanovës, e cila me duart e saj kishte dhuruar shumë bukë për ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët kishin shërbyer në malësinë e Karadakut, respektivisht në fshatin Stançiç, vendbanim ky në pjesën veriore të kufirit me Kosovën, gjatë luftës së vitit 2001, shkruan Open-TV.
E disa ushtarë të UÇK-së, pas lajmit të publikuar në rrjetet sociale për vdekjen e saj, kishin bërë komente tejet emocionuese.
Po kush ishte lokja nga Stançiçi?
Ja rrëfimet e disa ish-ushtarëve të UÇK-së:
“Zoti e shpërbleftë me xhehnet për ndihmën e bukën që e kemi hëngër në këtë shtëpi, sepse edhe mua në një natë dimri më pati zënë bora e madhe e nuk kam mundur të shkoj më larg. Ata më kanë gjetur në borë, isha i ngrirë dhe më kanë futur brenda, duke më shpëtuar jetën. Kush e mban në mend atë natën e vitit të ri 2001/2002? Unë në mbrëmje u nisa nëpër atë borë të madhe dhe ora 11 të natës mbërrita në Stançiç. Në këtë shtëpi shpëtova. Zoti ju dhasht shëndet krejt kësaj familje, sepse kur hyra brenda në shtëpi të gjithë ia nisën me qa, edhe fëmijët qanin kur më panë ashtu i ngrirë. Nuk kanë mundur të m’i lirojnë edhe këpucët nga ftohti. Zoti ia paguajt me lule të xhehnetit. E përshëndes këtë familje përzemërsiusht”, ka shkruar në komentin e tij një komentues me nofkën “komandant Haraçina”.
“Unë desha të shpreh kontributin e nënës tuaj dhe të tregoj të vërtetën, sepse edhe kjo nanë e dha kontributin e vet aq sa mundi për komb e liri, sepse realisht nuk kishte kushte elementare për amvisëti por nga një tend ku jetonte e priti çdo ushtar të UÇK-së për të ngrënë dhe përcjellë gjithë me moral dhe buzagaz . Lavdi veprës së nanë suaj dhe Zoti e mëshiroftë”, është komenti i Nejazi Sinanit.
“Po shumë e vërtetë është se shtëpia e juaj thuaj se ka qenë si objekt ushtarak, ku shumë ushtarë e oficer të UÇK-së kanë hangër buk te ju. Zoti e shpërbleftë me xhenet nanën tuaj. Respekt edhe për juve që keni kontribuar gjatë vitit 200”, ka shkruar Qani Sali.
Duke i lexuar këto komente rrëqethëse, Muhamed Dauti, djali më i vogël nga tre djemtë e nënës Vahile, i thotë portalit Open-TV se është habitur nga ajo që ka lexuar. Ai thekson se nuk e paska njohur nënën e tij, për bujarinë e treguar.
“Sa njeri e sa komandanti më kanë marrë në telefon dhe më kanë shkruar për mikpritjen dhe bukën që e kanë ngrënë nga duart e nënës sime. Kur po vijnë në ngushëllime po më tregojnë se si në vitin 2001 më shumë se 50 ushtarë kanë ngrënë mëngjes. Të gjithë me lot në sy po rrëfejnë për nënën time”, tregon Muhamed Dauti, i cili na tha se edhe vëllai i tij më i madh “Beka” ka qenë në UÇK.
Familja Dauti më herët ka jetuar në fshatin Stançiç dhe dyert e shtëpsië së tyre kanë qenë të hapura për të pritur dhe ushqyer me buk, kripë e zemër çdo luftëtarë të UÇK-së. (Open-TV)